Një ndër themeluesit e PD, Rexhep Uka mbajti një fjalim të gjatë dhe që u shoqërua me duartrokitje të forta gjatë Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Ai bëri një parashtrim të gjithçkaje që ka ndodhur gjatë fillimit të viteve ’90 kur PD erdhi për herë të parë në pushtet, duke shfaqur probleme të theksuara në raport me administrimin e tij. Uka u shpreh se pak nga pak pa se si anëtarët dhe drejtuesit e partisë filluan të heshtin përballë kryetarit, të frikësuar se “nuk do të ishin të listën e tij”.
“Këto gjëra që kanë ndodhur më kujtojnë një thënie andej nga ne: ‘Ti rrih sa të duash, por unë kësaj nuk i them bukë e pjekur“, tha ai.
Uka vijoi duke theksuar se pavarësisht motivit të thirrjes së tij, Kuvendi do të jetë një stacion për të çuar më tej demokracinë tonë të brishtë “Shqiponja më dy krenat nuk e ka fajin, boll me qenë të fortë si ajo dhe të mirat vijnë pas”, u shpreh ai.
Uka solli në vëmendje të gjitha kontributet e PD-së në fillimet e pluralizmit, ndërsa rikujtoi dhe disa nga mesazhet, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i’u sollën studentëve të 1990-ës për demokracinë.
“Përderisa me veshët e mi kam dëgjuar nga një komunist veteran, ‘për nder e bënë këta qentë’, a ka kompliment më të bukur? Përmbysja e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës ishte vepër e lëvizjes studentore, akti më i lartë pas Shpalljes së Pavarësisë. Askush nuk u mburr, askush nuk pretendoi pronësinë dhe autorësinë e asaj vepre. Grupi ynë i parë parlamentar, për herë të parë shpalosi një fjalor që kurrë më parë nuk ishte përdorur, “Faleminderit Amerikë!
Po ju lexoj disa prej mesazheve të dërguar nga SHBA drejt studentëve të dhjetorit: ‘Demokracia në vetvete nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësinë për të fituar, por edhe rrezikun për të dështuar. Premtimi që bën demokracia është jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Demokracia është premtim dhe sfidë. Qeveria e popullit dhe nga populli do të thotë se shtetasit e një shoqërie demokratike ndajnë me të të mirat e të këqijat. Në çdo shoqëri e në çdo brez njerëzit duhet të fillojnë rishtas veprën e demokracisë, duke marrë parimet e së kaluarës dhe duke i zbatuar ato në epokën e re’.
Gabimet politike nuk mund të zhvillohen jashtë një klime, peizazhi dhe territori të caktuar. Këtë habitat e krijojnë njerëzit, politikbërësit. Rruga më e sigurt e humbjes së pushtetit është sulja drejt tij. Nëse asnjëherë nuk ke pasur kurajon për t’u prononcuar, sot dihet pozicionimi i tij, por besueshmëria bie. Të heshtësh, kur sheh se demokracia shteron para syve të tu, kur ligji ndryshon sipas dëshirës së shefit, besoj se pasojat nuk i kemi provuar ne të parët”, tha ish-ministri demokrat, Rexhep Uka.