Beteja politike në mes të ish-kreut dhe atij aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, kulmon këtë të shtunë, ku nga njëra anë Lulzim Basha mblodhi delegatët e Kuvendit Kombëtar, ndërsa nga ana tjetër Sali Berisha po zhvillon referendumin për të ratifikuar shkarkimin e Bashës.
Lidhur me këto zhvillime brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë, analisti politik, Mentor Nazarko ka thënë për se me votimet e sotme synohet që nga njëra anë të legjitimohet rikthimi i Berishës dhe të grupit të tij në krye të PD-së, rrëzimi i Bashës me një instrument konform votimit të kuvendit të datës 11, e që siç tha ai është ekuivalent me zgjedhjen e Bashës nga anëtarësia, me parimin një anëtar – një votë.
Nazarko thotë se ky referendum po ashtu ka për qëllim të demonstrojë fuqinë në të njëjtën ditë kur PD-ja zyrtare po zhvillon kuvendin e vet, duke tentuar që t’i marrë energji e pjesëmarrje këtij kuvendi.
Çka pritet nga referendumi i sotëm i PD-së?
Sipas Nazarkos kjo është një çështje e komplikuar pasi sipas tij kundërshtarët e Bashës kanë dalë jashtë rregullave të PD-së dhe mund të sjellin destabilizim shoqëror.
“Është një çështje e komplikuar nga këndvështrimi juridik sepse veprimet që kanë ndërmarrë sfidantët e Bashës, nuk kanë respektuar në tërësi rregullat e statutit të PD-së. Një vend si Shqipëria ku nuk respektohen rregullat për zgjedhjet qoftë nacionale, qoftë lokale, është diçka e pritshme, që zhvillimet përbrenda partive të mos respektojnë rregullat”, ka thënë Nazarko.
“Nga aspekti juridik, do të jetë një gjykatë që t’i japë njërës palë të drejtë kundër tjetrës, ose ndaj plaçkën mes tyre-vulën, siglën, selinë etj. Nga këndvështrimi politik duhet kuptuar kjo që po ndodh, si një lloj martese dëshpërimi të një pjese të anëtarësisë së PD, të mbetur jashtë tavës së pushtetit, me betejën individuale të Berishës për të sfiduar ShBA-në, nëpërmjet rikthimit të tij në krye të PD-së. Kësisoj ky zhvillim nëse konfirmohet do ta dobësonte opozitën, duke e përçarë atë, por si kolateral do të vendoste në përplasje jo thjesht Berishën po edhe grupin e tij me ShBA-në”, ka shtuar ai.
Sipas analistit shqiptar, një fuqizim i tillë, siç e quan ai, i berishizmit, në gjirin e opozitës mund të sjellë skenar destabilizues, të përplasjes sociale, diçka që shkon ndesh me nevojën e Shqipërisë për stabilitet dhe pajtim, në kuadër të çeljes së negociatave me BE-në dhe marrjen e vendit në këshillin e sigurimit në janar, që është edhe interes strategjik i ShBA-së.
Berisha apo Basha kanë të drejtë në gjithë këtë proces?
Nazarko deklaroi se ai personalisht do të favorizonte një figurë të tretë jashtë të dy palëve, pa hipoteka të së shkuarës që mundëson qarkullimin e elitave në Shqipëri. Pasi sipas tij ajo që po ndodh në Shqipëri është më së shumti problem i qarkullimit të elitave dhe mjerisht Shqipëria është më mbrapa Kosovës në këtë aspekt.
“Nga kjo që po ndodh është krejtësisht e qartë që dy palët po shkojnë drejt ndarjes, si dy struktura të mëvetësishme. Ato as nuk e kanë konsideruar përplasjen brenda një forumi të vetëm dhe as pajtimin nëpërmjet ndonjë figure apo grupi mbi palët. Ato po shkojnë drejt konsolidimit si dy struktura më vete. Kanë shkuar vullnetarisht drejt ndarjes, ka munguar edhe një figurë pajtuese. Vetëm në flamur shqiponja me dy koka është simbol i forcës, PD-ja me dy koka e dy trupe është sinonim i dobësisë”, ka vazhduar ai.
Si do të ndikojë e gjithë kjo situatë në zhvillimet e përgjithshme politike në Shqipëri?
Nazarko thekson se kjo situatë e krijuar do të ndikonte në konsolidimin e kryeministrit Edi Rama dhe në dobësimin e opozitës.
“Kjo kontribuon drejtpërdrejt në konsolidimin e Ramës , e dobëson opozitën, e ekstremizon opozitën dhe ngrin qarkullimin e elitave. Ky qarkullim është si në lojën e pasqyrave: nëse do të ndodhte qarkullimi i elitave në PD do ta përshpejtonte në PS. Pra kjo do të bllokojë qarkullimin e elitave edhe brenda PS-së”, ka thënë Nazarko.
Nazarko tha mes tjerash se janë të vështirë skenaret sipas të cilëve Berisha nuk zgjidhet vet në krye të PD-së dhe e emëron dikë tjetër, siç bëri me Bashën, sepse sipas tij kjo do të sillte vijimin e një dukurie, siç e quan ai, si me kukullat ruse: të vinte një njeri i ngjashëm me Bashën, pastaj ky do të rrëzohej nga presioni i ShBA-së, e kështu me radhë.