(E plotësuar 21:50) - Sali Berisha zbulon lëvizjen e radhës për shkarkimin e Bashës
Nga oborri i selisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur se lëvizja e tij e radhës do të jetë protesta kombëtare, të cilën edhe një herë e njoftoi se do të nisë të hënën në orën 16:00. “Lëvizja e radhës do të jetë protesta kombëtare e më pas ristrukturimi i partisë”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët se kur do të shkojë në selinë e PD, ai tha:
“Që nesër do të jem në seli, dmth këto ditë, se nesër mund të mos jemi këtu. Ne jemi këtu, ai do të jetë këtu. Tani i kanë vënë edhe dy kundragaze në zyrë”.
I pyetur nëse Basha ka arsye për të patur frikë, Berisha vijoi se njeriu i palirë përjeton frikëra dhe terrore të tmerrshme.
“Historia përsëritet”, Berisha: E denatyralizuan Lul bravën, njësoj si Hoxhën
“Historia përsëritet”, kështu u shpreh ish kryeministri Sali Berisha ndërsa Albana Vokshi njoftoi rezultatet e votimit të referendumit për njësinë 8, njësi e kryedemokratit Basha e cila ka votuar pro shkarkimit të tij.
Ish kryeministri, Sali Berisha: Historia përsëritet. Në vitin 1991, kjo lagje ndër më demokratiket e kësaj toke i rezervoi diktatorit komunist disfatën turpëruese.
Pas 30 vitesh kjo lagje i rezervon peng Bashës të njëjtin fat me një dallim, diktatori komunist nuk kishte lindur në këtë lagje kurse Lulzim Brava ka lindur aty.
Pra e denatyralizuan. Kështu e denatyralizojnë demokratët e lagjes 8 në Tiranë.
Lagjia e tij e shkarkoi, Berisha: Bravën s'e duan as komshinjtë
Teksa Albana Vokshi tregonte shifrat e votimeve për shkarkimin e Lulzim Bashës në çdo qytet, mbështetësit e Berishës nuk u përmbajtën nga brohorimat kur ajo tha rezultatin e lagjes 8 në Tiranë.
Kjo është lagjia në të cilën banon Lulzim Basha dhe aty mori mbi 750 vota pro shkarkimit të tij.
Këtu ndërhyri vetë Sali Berisha, i cili tha se kjo lagje ashtu si 30 vite më parë dha goditje të fortë me votë ndaj Ramiz Alisë
“Të njëjtin fat si Ramiz Alia, në vitin 1991, kjo lagje, ndër më demokrate në Shqipëri, i solli fundin diktatorit të fundit komunist, një humbje historike për Ramiz Alinë.
Po ashtu, pas 30 vitesh, ia solli Lul Bravës, me një dallim, që Ramiz Alia nuk banonte në atë lagje, ndërsa Lul Bashën s’e duan as komshinjtë,” tha Berisha.
Berisha: Rreth 44 mijë demokratë vendosën pro shkarkimit të peng Bashkës
Pas referendumit të Partisë Demokratike, për ratifikimin e shkarkimit të Lulzim Bashës, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka mbajt një konferencë për media para selisë së PD-së, ku ka thënë se nuk ka forcë në botë që ndal këtë revolucion.
Ai përshëndeti demokratët që iu përgjigjen referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashkës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike
“Rreth 44 mijë demokratë sot vendosën me votën e tyre në mënyrën më plebishitare largimin e peng Bashkës nga drejtimi përfundimtar i forcës politike. Ky është ndëshkimi më i merituar që një person i pa denjët për detyrë që një person që detyrën e kreut të opozitës e shfrytëzon për pazare politike. Ky revolucion nuk ka të ndalur, nuk ka forcë në botë që e ndal. Jeni dëshmitarë të akteve të turpshme këtij akti madhështor të peng Bashës. Asgjë nuk mund të ndal njerëzit e lirë në realizimin e objektivave të tyre për liri dhe dinjitet, për të ardhmen dhe forcën e tyre politike”, tha ai.
Ndërkohë, brenda selisë së PD-së, Lulzim Basha po mban mbledhjen e kryesisë.
Berisha i jep mesazhin e fortë Bashës në oborrin e selisë: Nuk ka forcë në botë që e ndal këtë revolucion
Ish-kryeministri Berisha, ka mbërritur para selisë së PD në përfundim të numërimit të votave të anëtarësisë për referendumin e shkarkimit të Lulzim Bashës si kryetar i PD. Ai është pritur në seli nga mbështetës të shumtë, nën thirrjet “Basha ik”, “Lulzim Basha ka mbaru”.
“Një përshëndetje të përzemërt ju që jeni këtu, por mbarë demokratëve, të cilët firmosën sot, në 18 Dhjetor në një akt madhor, në një monument madhështor të lirisë së pluralizimit politik, referendumin e parë të thirru nga anëtarësia e një force politike në historinë e Shqipërisë, por mundet edhe më gjerë. Përulem para demokratëve që sot vendosën me votën e tyre largimin e peng Bashës. Ky është ndëshkimi më i merituar që një person më i padenjë, për një person që detyron e kryet të opozitës e shfrytëzon për pazare personale dhe trajton PD si një pronë të tij. Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë këtë revolucion”, tha Berisha.
***
Sali Berisha zhvillon një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike pas referendumit që u zhvillua për të ratifikuar vendimin për shkarkimin e Bashës. Ish-Kryeministri u prit nga dhjetëra mbështetës në hyrje të selisë.
Anëtarët e PD nga e gjithë Shqipëria votuan këtë të shtunë për vendimin e marrë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit. Por ky vendim nuk njihet nga Lulzim Basha.
Ditën e sotme u zhvillua Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ai. Pas përfundimit të punimeve të këtij Kuvendi, Basha tha se ditën e sotme vetëm ky aktivitet ka qenë i Partisë Demokratike. “Nuk ka referendum dhe Komitet Rithemelimi”, tha ndër të tjera Basha.
Po ashtu paraqitja e Sali Berishës në selinë blu bëhet në të njëjtën kohë ku Lulzim Basha mban mbledhjen me Kryesinë e PD-së.
***
Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar konferencë për shtyp mbrëmjen e sotme nga ambientet e selisë së Partisë Demokratike.
Ky njoftim erdhi pas referendumit të thirrur nga vetë Berisha për shkarkimin e kreut demokrat Lulzim Basha.
Për të ndjekur konferencën, para selisë blu janë mbledhur mbështetësit e Sali Berishës.
Kujtojmë se në ambientet e selisë blu, lideri demokrat Lulzim Basha, i cili mblodhi sot Kuvendin, po zhvillon mbledhje me kryesinë e partisë.