Anëtari i Komisionit për Rithemelimin e PD-së, Aldo Bumçi në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se nuk pret lajme nga takimi i Bashës.
Basha mbajti Kuvendin Kombëtar të PD-së në Pallatin e Kongreseve sot më 18 dhjetor.
Bumçi tha se "Basha i përket së kaluarës dhe ajo që thotë nuk ka më vlerë."
Bumçi: Vetëm një akt do kishte vlerë, të dorëhiqej, vetëm një gjë do kishte vlerë, t'i shpëtonte sa më shumë fytyrën vetes. Mua më vjen keq për Lulzim Bashën. Kur vjen një moment, ti konsumohesh dhe nuk sjell më gjë të re, largohesh dhe qëndron pjesë e ekipit.
Degradimi i tij gjatë këtyre javëve nuk kishte më kufi nuk e di se si ka duruar në PD. Të merresh me të është e kotë. Sot kishte vetëm një lajm, që shqiptarët vendimin e Kuvendit që u bë në stadium më 11 dhjetor, mori vendim për shkarkimin e zotit Basha, u bë përfundimtar me referendumin e sotëm.
Bumçi tha se pjesëmarrja sot në votim në referendumin për shkarkimin e Bashës ishte e jashtëzakonshme dhe njerëzit prisnin në radhë për të votuar. Ndërsa në Pallatin e Kongreseve u deklarua se ishin të pranishëm 5004 delegatë. Bumçi u shpreh se kjo shifër është e pamundur pasi ajo sallë ka 2180 karrige.