Partia Demokratike pas 31 vitesh të krijimit të saj po përjeton tronditjen më të madhe. Rreziku i saj është çarja në dy parti politike, në mbështetës së Bashës dhe të në mbështetës të Berishës.
Brenda 7 ditëve, PD ka pasur zhvillime të vrullshme dy kuvende dhe një referendum shkarkimi të kryetarit. Ditën e shtunë u mbajt referendumi i organizuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.
Mbi 40 mijë anëtarë votuan pro shkarkimit, sipas komisionit nismëtar. Nga ana tjetër Basha mblodhi Kuvendin e tij duke deklaruar se nuk e njeh Kuvendin e referendumin e Berishës, duke e cilësuar si nul. Berisha si lëvizje të tij ka premtuar që në 22 marsin e vitit të ardhshëm PD të zgjedhë kryetari i ri.
Por si janë zgjedhur kryetarët e PD-së ndër vite? Sipas tabelës së publikuar nga Instituti i Studimeve Politike, vetëm në tre palë zgjedhje nuk ka pasur rivalë, e si kandidaturë e vetme është zgjedhur Sali Berisha.
Në 11 palë zgjedhje kryetari i PD-së është zgjedhur nga 80-90% të votave. Vetëm në një rast, atë në vitin 1996, ku Tritan Shehu fitoi me 60% të votave përballë Ferdinand Xhaferrajt.
"Kohë kuvendesh, votash, shkarkimesh, debatesh dhe referendumesh në forcën politike, e cila nga mënyra sesi u krijua në dhjetor 1990 do të duhej të ishte institucioni referues për standardet e demokracisë funksionale dhe përfaqësuese në vendin me një trashëgimi të gjatë totalitare dhe kulturë para demokratike!", shkruan ISP-ja. Më poshtë tabela se si u zgjodhën kryetarët e PD-së ndër vite, ku i pari është Azem Hajdari i zgjedhur me konsensus.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/19/auto_-640-0-61bef7731e7d81639908100.png)