Rrugët e vendit mbeten të pasigurta për qytetarët. Nga janari deri në nëntor të këtij viti kanë humbur jetën 176 persona, 11 viktima vetëm gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë këtij viti janë regjistruar 136 aksidente më shumë në krahasim me një vit më parë. Përgjegjës në pjesën më të madhe janë drejtuesit e mjeteve, jo këmbësorët.
Në rrugët e Shqipërisë ndodhin çdo ditë mesatarisht katër aksidente. Vetëm gjatë muajit nëntor në të gjithë vendin janë shënuar rreth 106 aksidente rrugore me pasojë 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, nëntori i këtij viti ka regjistruar 4 aksidente më pak se nëntori i vitit 2020.
Por, shifrat janë në rritje në raport me 11-mujorin e një viti më parë.
Nga janari deri në nëntor raportohet se kanë humbur jetën 176 persona nga 168 në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar shifrave të INSTAT, në njëmbëdhjetëmujorin e këtij viti janë shënuar në total 1 257 aksidente rrugore nga 1 121 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2020, duke u rritur me 12 % ose 136 aksidente më shumë.
Edhe numri i të lënduarve nga aksidentet në nëntor është rritur nga 139 në 156 persona.
Po ashtu, rritje ka pësuar numri i të aksidentuarve nëse do ta krahasonim më njëmbëdhjetëmujorin e vitit të kaluar.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë gjithashtu se në 85.8% të rasteve përgjegjës janë drejtuesit e makinave, ndërsa vërehet edhe një rritje me 22.2% e aksidenteve si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.
Kryeqyteti ka numrin më të lartë të aksidenteve rrugore, i ndjekur nga Lezha, Fieri dhe Durrësi.
Ndërkohë, Vlora është qarku i cili nuk ka regjistruar asnjë aksident për muajin nëntor.
Sa i përket viktimave nga aksidentet kryeqyteti dhe qarku i Durrësit kanë numrin më të madh me nga 3 fatalitete secili.