Sali Berisha ka paralajmëruar protesta të tjera. Sipas tij protesta e sotme kundër Ballkanit të Hapur ishte thirrje brenda 48 orë ndërsa ka theksuar se të tjerat në vijim do të jenë të organizuara.
Në mbyllje të kësaj proteste Sali Berisha nuk i ka kursyer akuzat ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha duke thënë se ai nuk e ngjalli shpresën tek opozita dhe e bëri fajtor për situatën e keqe sipas tij në Shqipëri.
“Një opozitë më të fortë që ka parë vendi që nga 94’. Në rast se Shqipëria është në këtë mënyrë, përgjegjësi ka edhe udhëheqja e shkuar e opozitës. Dhe e cila në asnjë rrethanë nuk dha shembull dhe nuk priu për shpresën dhe besimin tek shqiptarët. Ju e patë, kjo kohë merr fund. Një protestë e thirrur në 48 orë. Herë tjetër do ketë program. Për të gjitha lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin.”tha Berisha.
Për sa i përket kryesisë së PD-së, Berisha tha se ajo do vendoset nga kryesia.
“Kryesinë do e vendosin anëtarët. PD është grupacioni më i lirë i kësaj toke. Është revolucion. I pandalshëm.”
“Kurrë këto transformime nuk mund të jenë të lidhura me një problem personal. Nuk është halli i Sali Berishës, por përkundrazi janë hallet e injoruara në mënyrë të tmerrshme të njeriut që përfundoi si brava. E kuptoni apo jo.” përfundoi ish kreu i PD-së.