Kryeministri Edi Rama deklaroi në tryezën e “Ballkanit të Hapur” se kjo nismë po e përgatit Ballkanin drejt rrugës së Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë nënvizoi se marrëveshjet që do të nënshkruhen sot do të përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm drejt objektivit për garantimin e lirisë së plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve.
“Më lini të kaloj nëpër secilën shtyllë të Ballkanit të Hapur duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur. Është një nismë tërësisht përfshirëse dhe duke inkurajuar në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjeke, por ndërkohë ne po ecim përpara”, tha Rama.
Ai nënvizoi se në fushën e lirisë së lëvizjes së mallrave do të nënshkruajnë marrëveshjen tri-palëshe për lehtësimin e import-eksporteve, të kafshëve të gjalla.
“Sot do të shkruajmë marrëveshjen edhe për veterinarinë”, shtoi ai.
Sa i përket fushës së lirisë së lëvizjes ai tha se po sot do nënshkruajnë marrëveshjen tri-palëshe për heqjen e lejes së punës.
“Në fushën e lëvizjes së lirisë dhe shërbimeve kemi bërë një hap që kemi përmirësuar ndërlidhjen, shërbimet elektronike. Duhet të bashkëpunojnë në fushën e turizimit. Përpiqemi që të tërheqim investues në rajon”, tha kreu i qeverisë.
Ai tha se nga viti i ardhshëm nuk do të ketë “dhimbje koke e stres të pritjes në kufij”.