Dy ditë pas atentatit me eksploziv në Vlorë ku shënjestër ishte 33-vjeçari Indrit Sadedini policia ka gjetur një makinë të djegur në Darëzezë. Burime bëjnë me dije se blutë e Fierit dhe Vlorës po punojnë për të mësuar nëse makina ka lidhje me atentatin ndaj 33-vjeçarit.
Dyshimet janë se automjeti tip “Mazda” i përket autorit që vendosi tritolin dhe u largua pas shpërthimit të tij. Makina rezulton me targa të vjedhura gjë që ka shtyrë edhe më shumë dyshimet e policisë se mund të jetë përdorur pas ngjarjes.
Kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të garazhit ku ndodhi shpërthimi kanë pikasur atentatorin i cili 15 minuta para se të ndodhte shpërthimi ka kaluar aty pranë me një kapuç në kokë dhe ka hedhur një pako duke e mbuluar me letër që të mos binte në sy.
Atentatori ka qenë në distancë kur e ka shtypur butonin ndërsa bomba ka qenë e lidhur me telefon.