Hije dyshimi te matësit e ujit, Ujësjellësi Lushnje vendos kritere që eliminojnë konkurrencën

Shqipëria

Hije dyshimi te matësit e ujit, Ujësjellësi Lushnje vendos kritere që eliminojnë konkurrencën

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 16:50
Ilustrim

Kritere të dyshimta dhe që sjellin eliminimin e konkurrencës në tenderin e ujësjellësit kanë sjellë ankimin e tenderit prej 12.4 milionë lekësh në Lushnje. Pas verifikimit të dokumenteve KPP ka vendosur rishikimin e kërkesave për të lejuar pjesëmarrjen në garë të sa më shumë kompanive.

Në fillim të këtij muaji, Ujësjellës Kanalizime Lushnje ka shpallur një tender për blerjen e matëseve të ujit dhe rakorderive plotësuese të tyre për nevojat e shoqërisë me fond limit 12.4 milionë lekë.

Disa ditë pas njoftimit të kësaj procedure operatori ekonomik “Alpha Solutions Group” SHPK ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik dhe autoritetit kontraktor duke kërkuar rishikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit duke shfaqur rezerva për të paktën dy kritere.

Referuar ankesës, kompania ka kërkuar që specifikimet teknike për lyerjen e trupit të matësit nga jashtë të hiqen me argumentin se materiali bronx i matësit nuk ndryshket.

Sipas kompanisë, kriteri i lyerjes së trupit të matësit me ngjyrë dhe për më tepër caktimi edhe i ngjyrës nuk kanë asnjë lidhje me mbrojtjen e matësit. 

Gjithashtu kjo kompani kërkon që kriteri i vendosur për paisjen me sistemin e transmetimit Reed Impulse Emitter dhe modulin M-BUS të hiqet.

Kjo sepse asnjë kompani në Shqipëri nuk prodhon ujëmatës që t’i ketë të dy sistemet. 

Pas shqyrtimit të dokumenteve, autoriteti kontraktor dhe Komisioni i Prokurimit Publik kanë vendosur të pranojnë pjesërisht ankimimin e operatorit dhe të vijojnë punën me procedurën e prokurimit.

Kjo e martë, 21 dhjetor është edhe data e fundit, ku të gjithë operatorët mund të paraqesin ofertat e tyre ekonomike për realizimin e kontratës, e cila është parashikuar të zgjasë 12 ditë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat