Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan sot 5 marrëveshje që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve mes tyre, lehtësira kufitare për identifikimin e udhëtarëve, sigurinë ushqimore të mallrave që shkëmbejnë mes tyre.
Ndërkohë ekonomisti Selami Xhepa, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj është shprehur se mospjesëmarrja e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor në nismën “Ballkan i Hapur” do të ketë pasoja pasi nuk e ndihmon bashkëpunimin mes vendeve në rajon.
Selami Xhepa: Mos pjesëmarrja e tre vendeve është me pasoja. Kjo mos pjesëmarrje nuk e ndihmon bashkëpunimin në rajon. Zgjidhja e problemeve politike që mban peng këtë proces mes Kosovës, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës është kritike dhe esenciale dhe në këtë kuptim dhe interesi strategjik i Shqipërisë është që të ndërtojë një agjendë paralele me Kosovën, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të konsiderohen si një treg i përbashkët unik në vetvete dhe pastaj për qasjen e vendeve më të mëdha të rajonit.
Ai thotë se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve përfitojnë ekonomitë e mëdha, konkretisht Serbia.
Selami Xhepa: Në këto lloj marrëveshjesh ekonomitë më të mëdha janë më përfituese. Në këtë pikëpamje Serbia është një ekonomi që është dy herë më e madhe se e Shqipërisë. Në planin strategjik të Shqipërisë, nuk duhet neglizhuar asnjëherë rasti i Kosovës, sepse Kosova është shumë e rëndësishme për ne si ekonomikisht por edhe politikisht.