Partia Demokratike thotë se PS është rreshtuar haptazi në mbrojtje të Lefter Kokës dhe personave të tjerë të përfshirë në aferën e inceneratorëve duke bojkotuar punimet e Komisionit Hetimor për këtë këtë çështje.
Jorida Tabaku u shpreh se selia blu ka kërkuar që hetimi të vazhdojë edhe me Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Qazim Sejdinin, Armando Subashin dhe Erion Veliajn.
“PS premtoi që nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd të përfshirë në këtë aferë, ndërkohë që sot mbrojtja politika po jepet duke bojkotuar punimet e komisionit. Qytetarët e kanë të qartë se Komisioni Hetimor i inceneratorëve nuk flet pa prova dhe fakte, madje ky komision, por Edhe SPAK po i afrohen të vërtetës. Ndërkohë që Lefter Koka është vetëm fillimi, vetëm i pari që duhet të shkojë para drejtësisë PS është rreshtuar haptazi në mbrojtje të interesit korruptiv të Lefter Kokës, të Klodian Zotos dhe Stela Gugalles që janë sot në kërkim dhe të Mirel Mërtirit.
PS me bojkotin në këtë komision po përpiqet që të mbrojë edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë. Në padinë e odrëzuar në SPAK, por edhe në indicien dhe objektin e punës për inceneratorët kemi kërkuar që hetimi të vazhdojë me Edi Ramën si person i lidhur dhe mbrojtësi kryesor i aferës së inceneratorëve, me Arben Ahmetajn, ministrin përgjegjës dhe njeriu që ka njohje me personat sot përgjegjës, me Damian Gjiknurin, atë që ka dhënë inceneratorin e Tiranës, me Qazim Sejdinin, Armando Subashin dhe Erion Veliajn. Pa bërë drejtësi me gjithë këta persona SPAK dhe Komisioni Hetimor nuk kanë për ta kryer punën e tyre”, tha Tabaku.