Korrupsioni me tenderin e 2018-ës në burgun e Lushnjes/ SPAK dërgon çështjen në Gjykatën e Posaçme

Shqipëria

Korrupsioni me tenderin e 2018-ës në burgun e Lushnjes/ SPAK dërgon çështjen në Gjykatën e Posaçme

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen e korrupsionit me një tender të vitit 2018 në burgun e Lushnjes.

Të përfshirë në këtë çështje janë drejtori i burgut, Judmir Shurdhi, punonjësit e burgut Mariglen Myftari, Erjon Çela, Miranda Idrizi dhe Krenar Gozhina ish punonjes në IEVP Lushnje, të cilët abuzuan me tenderin në vitin 2018.

Ndërsa Xhesika Kaja do të gjykohet për veprën penale “Moskallzimi i krimit” .

Judmir Shurdhi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës’ dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 248 dhe 258 e 25 të Kodit Penal;

Mariglen Myftari, Erjon Çela, Miranda Idrizi, punonjës të IEVP Lushnje dhe Krenar Gozhina ish punonjes në IEVP Lushnje, akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal;

Mariglen Myftari akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;

Xhesika Kaja, akuzohet për veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 paragrafi i parë i Kodit Penal.

Nga hetimi i SPAK, ka rezultuar se në tenderin “Shërbim i transportit të punonjësve të rolit bazë”, me vlerë 3 163 333 lekë, të zhvilluar në vitin 2018, si dhe me objekt: “Shërbimi i transportit të punonjësve me uniformë” me vlerë 3 395 800  lekë pa tvsh, të zhvilluar në vitin 2019, janë evidentuar shkelje ligjore nga personat e mësipërm.

Judmir Shurdh  ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave, ka miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion ndaj vartësve të tij në vitin 2019 për kualifikimin e operatorit V.K..

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, njëkohësisht edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kryer një sërë shkeljesh në kundërshtim me kuadrin ligjor në fushën e prokurimit publik, duke shkelur barazinë dhe lirinë e pjesëmarrësve në tendera me qëllim kualifikimin e operatorit ekonomik V.K., në bashkëpunim në vitin 2019 edhe me Miranda Idrizin, anëtare e vetme e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.

Kurse Mariglen Myftari, në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në vitin 2019 ka kërkuar nga operatori ekonomik pjesëmarrës i vetëm në të dy procedurat e mësipërme të prokurimit, një shumë parash me qëllim shpalljen e tij fitues dhe në mungesë të dhënies së këtij përfitimi, ka proceduar me skualifikimin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat