Hidhet shorti publik për shpërndarjen e apartamenteve te “5 maji”, 58 familjet e para hyjnë në shtëpitë e reja për Vit të Ri

Shqipëria

Hidhet shorti publik për shpërndarjen e apartamenteve te “5 maji”, 58 familjet e para hyjnë në shtëpitë e reja për Vit të Ri

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 12:01
Hidhet shorti publik për shpërndarjen e apartamenteve te “5 maji”

Bashkia e Tiranës ka hedhur shortin për përzgjedhjen e apartamenteve në pallatet e ndërtuara në lagjen e re “5 Maji”, ku do të sistemohen familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019. 58 familjarë ose përfaqësues të tyre, të pajisur me prokurorë, morën pjesë në shortin publik, ku përmes një procesi të hapur dhe transparent, përzgjedhën shtëpinë e tyre të re, në të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë me shtëpinë që kishin përpara tërmetit.

Pas skepticizmit të fillimit, tashmë banorët që preken nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, të gjithë banorët që preken nga ky projekt përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që janë ndërtuar ose po përfundojnë ndërtimin në lagjen e re te “5 Maji”.

Përfituese janë edhe ato familje që i kanë pasur banesat në proces legalizimi, duke përfituar po të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, por në godinat e reja dhe me dokumente tërësisht të rregullta. Nga ky projekt transformues i gjithë zonës së “5 majit”, kanë përfituar edhe familjet të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje.

Lagjja e re “5 Maji” po kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat