Lotët e 29-vjeçares Malalai Anëari ndërsa këndohej himni i shtetit Afgan, tregojnë dhimbjen dhe vuajtjet e një populli që është detyruar të braktisë vendin e vet për shkak të luftës.
Ajo ishte një pedagoge në Afganistan dhe njëherazi lojtare e ekipit kombëtar të basketbollit. Por çdo gjë u pre në mes me rënien e këtij shteti në duart e talibanëve.
Si shumë Afganë të tjerë, 29-vjeçarja prej pak muajsh ndodhet e akomoduar në qytetin e Shëngjinit.
Ajo dhe një pjesë e shoqeve të saj të ekipit të basketbollit ishin në Shkodër, në një ndeshje miqësore me vajzat e Vllaznisë, në kuadër të aktiviteteve të pagëzuara “Vendi mikpritës”.
Kanë lënë familjen atje, në një situatë aspak të mirë politiko – ekonomike dhe ku siguria për jetën mungon.
“Jemi me fat qe jemi në Shqipëri dhe po vazhdojmë ëndrrën tonë këtu. Ne jemi te sigurta sepse fale basketbollit u arratisem por jo familjet tona ne Afganistan. Rralle here flas me familjen time në Kabul por situata atje është shume e vështirë. Prindërit e mi dhe vëllezërit janë me parime perëndimore dhe mendje të hapur prandaj janë në rrezik. Janë të ngujuar dhe nëse dalin i vrasin. Situata ekonomike dhe politike ne Afganistan është shume e vështire. Duke qene se unë kam dhënë shume intervista, isha e penalizuar nga regjimi i talibanëve dhe familja është e lumtur qe jam këtu.”
Por shpresojnë që Afganistani të rikthehet në normalitet dhe thonë se ëndrra e tyre nuk është Amerika, por vendlindja.
“Ëndrra ime e vetme është te kthehem ne Afganistan kishim gjithçka ne vendin tone, shpresoj te gjejmë serish lirinë. Situata ne Afganistan nuk është e mire, por e ardhmja jone nuk është Amerika. Ne kemi lindur atje jemi rritur atje dhe do te kthehemi përsëri atje.”
Ekipi nuk është i plotë pasi shumë vajza kanë mbetur fatkeqësisht atje thotë trajneri i tyre 31 vjeçar, Jamshid Akbari.
Ndeshja miqësore u vlerësua si një mundësi e mirë për integrimin e këtyre vajzave.
Përveç vajzave, një ndeshje miqësore por këtë herë në volejboll luajtën djemtë e Vllaznisë me ato të ekipit Afgan.
Organizimi erdhi në kuadër të një vizite që zhvilluan pak ditë më parë në Shkodër një grup Afganësh që janë akomoduar në Shqipëri.