Viti 2022 do të nisë me një rritje të çmimit të energjisë elektrike. Enti Rregullator ka parashikuar marrjen e vendimit për rritje e tarifës për operatorin e transmetimit nga 0.75 lekë për kilovat orë në 1.54 lekë.
Rritja e çmimit të energjisë dhe ushqimeve bazë të shportës do të rëndojë në xhepat e qytetarëve.
Ish-ministri i Financave Arben Malaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se viti 2021 ka një rikthim drejt normalitetit për sa i përket situatës ekonomike në krahasim me vitin 2019 kur u goditëm nga tërmeti dhe më pas nga pandemia, por sipas tij ky rikthim është ende larg pritshmërive.
Malaj: Kemi një rritje ekonomike të konsideruar të lartë, por e cila është ushqyer jo nga aktorë stabël, por nga paraja e madhe e hedhur në ekonomi si për kostot e rindërtimit, si për kostot e pandemisë, ashtu dhe paraja publike e cila është hedhur në sasi të mëdha.
Sipas zotit Malaj, pas pandemisë, një risk i madh mbi qytetarët shqiptarë është rritja e inflacionit mbi nivele të larta.
Efektet e rritjes së inflacionit
Malaj: Inflacioni është një tatim indirekt që qeveritë e vendosin pa bërë ndryshime në politikat fiskale dhe e kanë më të lehtë që të nxjerrin disa përfitime nga inflacioni i lartë sidomos në uljen e barrës së borxhit. Por ai ka efekt të varfërojë pjesën më të madhe të popullsisë pasi rritja e çmimeve që janë pjesë e konsumit të përditshëm godet klasën e mesme dhe klasat në nevojë. Niveli i varfërisë në Shqipëri, dhe në raportet e fundit është përkeqësuar. Inflacioni është goditje e madhe si për rritjen e varfërisë, ashtu dhe për dëmtimin e klasës së mesme të një vendi.
Zoti Malaj tha se nga skandali i publikimit të pagave vumë re një ndarje të thellë mes pagës mesatare dhe pagave më të larta.
Malaj: Ka dyshime të mëdha për përzgjedhjen e atyre që i marrin këto paga dhe për rritjen jashtëzakonisht të madhe të pagave në sektorin publik, kur vetë sektori publik është një gropë e zezë në financat publike të vendit. Hapësira e madhe e rritjes së pagave në mënyrë arbitrare është një nivel që krijon kosto ekonomike dhe kosto sociale.
Po çfarë tregon ky disnivel i pagave?
Malaj: Modeli ekonomik i zgjedhur aktualisht është modeli oligarkik. Pikërisht mungesa e konkurrencës dhe spontaniteti i përzgjedhjes së projekteve në ekonomi po na çon drejt një niveli oligarkik që pasuria dhe aktiviteti përqendrohet gjithnjë në pak duar. Rritja e pushtetit të tyre ekonomik shoqërohet pastaj me dobësimin e demokracisë dhe dobësimin e shtetit ligjor. Arrijmë në konkluzionet e DASH që qeverisja në Shqipëri ka ardhur duke u përkeqësuar, korrupsioni ka ardhur duke u rritur dhe ka shumë prova që shteti është i kapur në projektet e tij.
Malaj më tej tha se duhet të kishte një auditim, kontroll, ndërprerje të karrierës së pamerituar apo ndjekje penale për punonjësit e administratës që shkelin ligjet thjesht sepse duan t'i shërbejnë oligarkëve apo disa politikanëve dhe janë bashkëfajtorë jo vetëm moralë, por ligjorë me ato që ndodh në keqqeverisjen ekonomike.