Të tre institucionet përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike kërkojnë rritje të çmimeve. Situata financiare, nevoja për investime dhe tregjet ndërkombëtare janë sipas tyre shkak për këtë nismë. Nga ana tjetër bizneset në përballjen me ERE kundërshtuan argumentet, duke theksuar se kostot do t'i paguajnë familjarët.
Eksperti i ekonomisë, Alban Zusi i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Siklajda Shorja u shpreh se ky nuk është problem i biznesit, por është problem ekonomik. Sipas tij, është problem i konsumatorëve.
Zusi: Biznesit sa herë i rriten çmimet dhe i rriten kostot nuk merr para nga shtëpia për t'i përballuar këto kosto të shtuara. Biznesi të gjitha këto kosto të shuara i fut në çmimin e produktit. Po pati rritje të kostove, këto kosto do shkojnë te konsumatori, kjo është e padiskutueshme. Nuk mundet ndryshe që të qëndrojë biznesi në këmbë.
Sipas zotit Zusi, rritja e çmimit të energjisë është problem kombëtar i cili mundet edhe ta gjunjëzojë ekonominë dhe në vende të caktuara ka gjunjëzuar edhe qeveritë.
Zusi: Krizat energjitike janë ato që kanë gjunjëzuar qeveritë. Krizat energjitike, janë shoqëruar me kriza politike.
Në gjykimin e ekspertit, vendet e tjera përreth nesh po e zgjidhin problemin duke alokuar subvencion për koston e energjisë elektrike për bizneset prodhuese.
Zusi: Në radhë të parë duhet të ulemi dhe të analizojmë. Në ekonomi bëhen llogari. Nuk merren kështu "unë jam i fortë, se unë kam votat, mua s'më rrëzon njeri, s'kam opozitë etj" sepse kjo është një vendimmarrje aritmetike. Po merren shumë vendime aritmetike.
Sipas tij, në të gjitha rastet shteti duhet të gjejë mundësinë që të absorbojë goditjen e madhe që mund të marrë biznesi, sepse nuk bën gjë tjetër veçse sharron trungun e pemës në të cilën është ulur. Shteti sot, tha Zusi, është ulur në një trung, i cili e ka emrin biznes.
"Niveli i varfërisë në Shqipëri është përkeqësuar", Malaj: Modeli ekonomik i zgjedhur është ai oligarkik
Zusi: Çfarë do bënte shteti nëse bizneset nuk prodhojnë, nuk paguajnë taksa? Atëherë ti nuk mundesh ta shkatërrosh, nuk mundesh ta sharrosh këtë trung.
Ditën e sotme, 29 dhjetor drejtori i KESH, Ardian Çela dhe ai i OST Skerdi Drenova paraqitën kërkesat e tyre për rritjen e tarifës së energjisë pranë ERE. Gjatë raportit kërkesa për dyfishimin e çmimit të kërkuar nga OST nga 0.75 lekë kilovati në 1.47 lekë është shkak i situatës financiare.