Në punë me pasaportë vaksinimi. Të parët që do ti binden urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë janë punonjësit e admninistratës publike, supermarketeve dhe Qendrave Tregtare.
Duke nisur nga data 4 janar këta punonjës do të duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit në të kundërt do të paraqesin çdo pesë ditë përgjigjen e testit për të vërtetuar që nuk janë të infektuar me koronavirus.
Vaksinimi i detyrueshëm vjen si pasojë e ngadalësimit të ritmit të vaksinimit por edhe për shkak të varianteve të reja që janë në qarkullim dhe që mund të përkeqësojnë situatën e pandemisë.
Për ata që nuk e kanë bërë vaksinën por e kanë kaluar sëmundjen, e vlefshme mund të jetë dhe certifikata e shërimit që lëshohet nga autoritetet shëndetësore.
Të përjashtuar nga ky urdhër janë ata persona që vuajnë nga problemet shëndetësore që e kanë të pamundur marrjen e dozave të vaksinës anti-Covid.
Prej fillimit të vaksinimit në janar të vitit të kaluar janë kryer mbi 2.253.000 vaksinime, mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar me dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.
Pavarësisht shifrave zyrtare, mbulesa e vaksinimit në vend mbetet ende e ulët dhe ata që hezitojnë më tepër janë të rinjtë.
Në dy vite, Covid 19 u ka marrë jetën mbi 3200 personave, mes tyre dhe shumë të rinj, ndaj ekspertët e shëndetit këmbëngulin në kryerjen e vaksinës por edhe respektimin e masave anti-Covid të cilat muajt e fundit nuk janë respektuar ashtu siç duhet nga qytetarët.