Kontejnerë plot me mbeturina në mes të qyteteve, grumbuj mbetjesh në qendra e periferi, kamionë që presin të derdhen në landfille.
Në vitin 2021 Shqipëria u mbush me plehra, çuditërisht, për koinçidencë apo qëllimisht, gjithçka nisi kur u zbërthyen kontratat e koncesioneve të incineratorëve.
Kriza e mbetjeve nisi nga Shkodra, në ditët e para të 2021.Përplasja mes Bashkisë dhe drejtuesve të Landfilldit të Bushatit bëri që ky i fundit të ulte traun për mbetjet e qytetit.
Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, foli për një katastrofë mjedisore, ndërsa situata u zgjidh disa ditë më vonë pas një marrëveshjeve mes palëve.
Qyteti i Durrësit u përfshi në disa kriza të herëpashershme të mbetjeve.Pak para sezonit turistik emergjenca mjedisore atje tregonte qartazi dështimin e Bashkisë së drejtuar nga Emirjana Sako në menaxhimin e mbetjeve urbane.
Prishja e imazhit të qytetit por edhe ngërçet që nuk kishin fund detyruan në gusht qeverinë socialiste që të financojë me 32 milionë euro bashkinë e Durrësit deri në vitin 2030 për menaxhimin e mbetjeve.
Në mes të sezonit turistik nga kriza e mbetjeve u përfshi edhe Kavaja.Landfillet ilegale që ishin krijuar nën hundën e institucioneve duket se nuk mbanin më mbeturina, ndaj atyre iu vu zjarri duke e çuar zonën në prag katastrofë mjedisore.
Në korrik të 2021 edhe Fieri u përfshi nga një situatë kaotike.Teksa miliona euro ishin dhënë për incineratorin atje, vendgrumbullimi i mbetjeve u dogj duke shkaktuar gjendje alarmi tek qytetarët për disa ditë.
Pak javë më vonë e njëjta skenë u përsërit në Vlorë.Vetëm pak ditë pas përplasjeve në Këshillin Bashkiak mes socialistëve në mbi vendimin për punësimet në Landfillin e ri, vendgrumbullimit të mbetjeve iu vu zjarri gjatë fillimit të tetorit.
Kryebashkiaku, Dritan Leli, foli për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa për ditë me radhë tymi mbuloi të gjithë zonën.
Pak javë para mbylljes së 2021 nga kriza e mbetjeve u përfshi edhe Bashkia e drejtuar nga Gledian Llatja.
Mbarimi i kontratës me kompaninë e pastrimit la mbetjet rrugëve për disa ditë me radhë, ndërsa qytetarët shprehën shqetësimin e madh për situatën.
Nisur nga krizat e mbetjeve që nuk kishin fund dhe kishin zënë ngushtë shumë Bashki, kreu i qeverisë Edi Rama në një mbledhje me kryebashkiakët e tij që drejtojnë të gjitha njësitë vendore të qeverisjes u dha ultimatum atyre që jo vetëm ta marrin seriozisht pastrimin e territorit, por të rrisin buxhetet e t’i përvishen punës që nuk e kishin bërë mirë për vite me radhë.
Paralelisht me këtë nismë prokuroria ndërmori arrestimet e para me akuzën për korrupsion në kontratën e incineratorit të Elbasanit.