"Dhuratë e pamerituar për Edi Ramën…", Çollaku: Nuk ndodh asgjë me 5 as me 8 janar por të ndahemi në mënyrë të qytetëruar

Shqipëria

"Dhuratë e pamerituar për Edi Ramën…", Çollaku: Nuk ndodh asgjë me 5 as me 8 janar por të ndahemi në mënyrë të qytetëruar

Më: 1 janar 2022 Në ora: 21:21
Kreshnik Çollaku

Sali Berisha pritet të finalizojë në ditët e para të këtij viti aksionin politik të nisur fundin e vitit të lamë pas.

Së bashku me Komisionin e Rithemelimit të PD i kanë lënë afat Lulzim Bashës 5 janarin për të liruar selinë e PD.

Në rast refuzimi ata kanë thirrur një protestë kombëtare më 8 janar dhe kanë paralajmëruar se anëtarësia e PD do të shndërrohet në përmbarues politik.

Kreshnik Çollaku i sheh me trishtim këto zhvillime jo për çfarë pritet të ndodhë por dëmin që i bëjnë këtij subjekti politik.

Çollaku: Ky lajm më ka trishtuar. Kam parë në artikuluesit e atij lajmi shumë miq dhe bashkëpunëtorë. Ka njerëz që punën e tyre e kanë të merituar por erdhe njerëz që karrierat dhe ofiqet i kanë të pamerituara. Ata e kanë quajtur Komisioni i Rithemelimit por mua më sollën në mendje ultimatumet e komiteteve të shpëtimit të '97. Ne dhe ata që thonë të tilla kemi në dorë të mos turpërojmë forcën tonë politike me deklarata dhe gjeste të tilla.

Në një intervistë për Rtv Ora, Çollaku thotë se palët duhet ti thërrasin arsyes. Edhe nëse bashkëjetesa nuk është e mundshme, ai thotë se ndarja duhet të jetë e qytetëruar dhe të mos damkosin me turp partinë.

Çollaku: Të përpiqemi të qëndrojmë bashkë duke pasur ide të ndryshme por edhe nëse vlerësojmë se nuk mund të rrimë dot bashkë se jemi aq të ndryshëm ka mënyra civile, të qytetëruara që të ndahemi në mënyrë të qytetëruar.Është e trishtueshme, do të desha të ishte një ëndërr e keqe thirrja e disa miqve të mi dhe të tjerëve këtu për të pushtuar, dhunuar demokratët apo selinë e PD. Të gjithë e dinë as në 5, as në 8 as në 18 asgjë nuk ndodh se partia ka institucione. Të krijohet një provokim i tillë i shëmtuar do të ishte një dhuratë e pamerituar për Edi Ramën, turpërim i PD. Sot që të shmangin këtë turp e kanë në dorë këta miqtë e mi, jo demokratët e mërzitur me Lulzim Bashën, me ne, jo ata që kanë firmosur, jo ata që kanë menduar se po bëjnë referendum, kuvend. Sot këtë përgjegjësi e ka një grup 10-20 vetash që për karrierën e tyre, kënaqësitë dhe pakënaqësitë e tyre dhe Lulzim Bashën, disa e kanë të drejtë mërzinë me Lulzim Bashën por jo për këtë motiv. Ata e kanë në dorë ti thërrasin arsyes dhe ta shpëtojnë të gjithë bashkë këtë seli, këtë sigël, këtë parti nga një turp. Nëse akte të tilla ndodhin do të ishte turpërimi më i madh për këtë parti.

Po kush po përfiton nga gjithë situata në PD? Deputeti demokrat vlerëson se qeveria socialiste dhe Edi Rama kanë marrë një vakancë politike të pamerituar.

Çollaku: Ky tension dhe paqartësitë e brendshme i kanë dhënë një lloj vakance të pamerituar kësaj qeverie. Kjo histori u zgjat, qeveria dhe Edi Rama me skandalet që po dalin këtë vakancë politike e kanë të pamerituar. Është detyrë e kryetarit të PD Basha dhe çdo demokrati të mobilizohet për të shtuar dozën e betejës, luftës dhe rezistencës me synimin e kësaj keqqeverisje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat