MEPJ mbështet sanksionet e SHBA ndaj Dodik: Kundërshtojmë përpjekjet për të minuar stabilitetin në rajon

Shqipëria

MEPJ mbështet sanksionet e SHBA ndaj Dodik: Kundërshtojmë përpjekjet për të minuar stabilitetin në rajon

Më: 5 janar 2022 Në ora: 21:16
Olta Xhaçka

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka mbështetur sanksionet e vendosura nga SHBA ndaj anëtarit serb të Presidencës në Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik. Këtë të fundit, Departamenti amerikan i Thesarit e ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive.

Në një postim në Facebook, MEPJ deklaron se Shqipëria mbështet sanksionet ndaj Dodik dhe se përkrahet fuqishëm integriteti territorial i Bosnje Hercegovinës. Po ashtu, MEPJ njofton se kundërshton çdo përpjekje për të minuar paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Siç thuhet në njoftim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me Dodikun.

Më herët, ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, tha se të mërkurën më 5 janar, pritet të shpallen sanksione nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër individëve nga Bosnje dhe Hercegovina, shkruan Express.

Në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.

Shefja e diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Turkoviç, tha para gazetarëve më 5 janar se sanksionet do të shpalleshin gjatë ditës, duke bërë të ditur se për këtë çështje ishte punuar për një kohë të gjatë. Ajo tha se ekziston një qëndrim i harmonizuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se ky nuk do të jetë fundi, por vetëm fillimi i vendosjes së sanksioneve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat