Reagon deputetja e PD-së që dje për herë të parë u shfaq në krah të komisionit të Rithemelimit

Shqipëria

Reagon deputetja e PD-së që dje për herë të parë u shfaq në krah të komisionit të Rithemelimit

Më: 6 janar 2022 Në ora: 13:33
Sorina Koti

Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti, e cila një ditë më parë u shfaq krah komisionit të rithemelimit të PD-së, ka folur se çfarë do të ndodhë në protestën e 8 janarit të thirrur nga ky komision. Ajo mohoi të ishte pjesë e komisionit të Rithemelimit të PD-së, por shtoi se është në krah të demokratëve dhe anëtarëve që duan hapjen e PD-së dhe rimarrjen e selisë.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga prezenca ime dje në selinë e partisë apo nga kuvendi i 11 dhjetorit. Unë nuk jam pjesë e komisionit të rithemelimit. U ndjeva e befasuar që për herë të parë në jetën time, për herë të parë derën e PD-së e gjenim të mbyllur. Ajo seli është e të gjithëve ne. Të ndjehesh i bllokuar kur jemi krijuar si parti  e fortë me vlera të larta dhe të shohësh PD-në që ka vetëm militantë që mezi presin të ketë opozitë reale, ne gjetëm dje oborrin bosh”.

Ajo tha se protesta e 8 janarit është simbolike dhe është thirrur nga anëtarët e partisë të cilët duan të marrin në dorë fatet e veta. Sipas saj, nuk ka ndodhur kurrë që dera e kësaj partie të jetë e mbyllur.

“Është hera e parë në politikën e brendshme, të kryhet një analizë dhe pastaj të përballemi me kundërshtarin. Në momentin kur demokratët kanë kohë që nuk dëgjohen, ishte si tenxhere me presion që problemet e mbledhura do të shpërthenin, dhe më mirë që shpërthyen, pasi do të vijë momenti të qartësohen. Nuk është Berisha, por anëtarët që thirrën kuvendin, po thërrasin protestën dhe është: Hap PD, hap selinë. Nuk ka ndodhur kurrë që dera e PD-ja të jetë e mbyllur dhe aq më tepër të marrim leje për të hyrë në parti. Ka një procedurë dhe duhet të kishte njoftime se çfarë ndodh me godinën. Në datën 8 është një protestë simbolike për rimarrjen e selisë, se selia është e demokratëve. Demokratët nuk kanë nevojë për një godinë për t’u mbledhur. Por godina është shtëpia jonë, simbolika jonë. Është hera e parë që anëtarët e partisë po marrin në dorë fatet e tyre”.

Sa i takon pozicionit të saj aktual në parti, pas qëndrimeve pro komisionit të rithemelimit, deputetja Koti thekson se vazhdon të mbajë postin e nënkryetares së komisionit të Ekonomisë. E pyetur nëse do të ketë fatin sikurse kolegët e tjerë të shkarkuar ajo thotë se nuk ka asnjë njoftim për këtë.

“Unë i qëndroj vendimit tim personal që PD-së i bëjnë mirë debatet, me bindje kam marrë pjesë në të dyja kuvendet. Ku janë demokratët duhet të jemi dhe ne se demokratët na bëjnë kryetar e deputet dhe ashtu siç na i japin pozicionet ashtu na shkarkojnë, por pas datës 11, pas vendimeve që u morën atje, unë nuk mund të isha pjesë e vendimeve ku do të shkarkoheshin kolegët e mi. Në momentin që demokratët kërkojnë diçka, ne duhet të jemi atje. Unë e mbaj ende pozicionin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, nuk cenoj askënd, kam qëndruar korrekte në seancat parlamentare. Nuk ka asnjë njoftim dhe do të më vinte keq. I qëndroj vendimit që PD-ja duhet të pranojë të gjithë njerëzit që mendojnë ose jo si kryetari. Është mirë të gjithë të dëgjojnë bazën”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat