Berisha: Basha nuk u bë kurrë lider i besueshëm

Shqipëria

Berisha: Basha nuk u bë kurrë lider i besueshëm

Më: 6 janar 2022 Në ora: 15:16
Sali Berisha

Sali Berisha nga Fieri, ku po festohet 31 vjetori i krijimit të degës së PD-së, është shprehur se Lulzim Basha është farë e keqe në PD.

"Ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm dhe jo se ne të gjithë nuk punuam që të ishte një lider i besueshëm për demokratët shqiptarë, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme: fara e keqe e tillë mbetet! Farë e keqe’, tha lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës:

"Së pari, më lejoni siç e do hierarkia të uroj ortodoksëve të Fierit dhe gjithë Shqipërisë, gëzuar këtë ditë të bekuar dhe është koincidencë e mrekullueshme që ne festojmë ditëlindjen e parë të PD. Sot të gjithë ne këtu kemi shumë detyrime për tu përulur me nderim të madh, për të shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre grave dhe burrave të Fierit, intelektualëve, punonjësve të këtij qyteti që themeluan më 6 janar 1991 në Fier partinë e parë opozitare në një kohë kur e vërteta është që diktatura e llogariste Fierin një bastion të saj.Kohërat e fillimit për fillestarë nuk kanë qenë të lehta.

Terrori i kuq na shoqëronte nga një komunë në një tjetër, nga një fshat në një tjetër, por ashtu siç ishin dhe idealet e demokratëve, ne qëndronim në të drejtën tonë të vendosur në rrugë dhe mjete paqësore të realizonim qëllimet tona.Jo të rralla ishin rastet kur na gjuanin me gurë, përpiqeshin të bllokonin rrugët ndërsa ne armë të vetme kishim tolerancën dhe përpiqeshim me vendosmëri të fitojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve. Përsëri qëndruam të pamposhtur dhe vijuam rrugën deri në fitoren e madhe.

Drejtimi i kësaj partie dëshmoi dobësi dhe mjaft probleme të tjera. Njeriu që demokratët i besuan drejtimin solli forcën tonë politike nga humbja në humbje. Ai dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite. Ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm dhe jo se ne të gjithë nuk punuam që të ishte një lider i besueshëm për demokratët shqiptarë, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme: fara e keqe e tillë mbetet! Farë e keqe", tha Berisha nga Fieri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat