Policia ka shtuar forcat e saj në perimetrin përreth godinës së Partisë Demokratike pak orë para nisjes së protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit ka shprehur vazhdimisht qëllimin për të marrë godinën sot bashkë me mbështetësit e tij duke e quajtur këtë “rikthim në shtëpi”.
Në oborrin e godinës së Parlamentit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg selisë së demokratëve janë vendosur forca të shumta policie, si edhe një autobot me ujë që përdoret për shpërndarjen e protestuesve.
Më herët, vetë demokratët kishin marrë masa duke vendosur altoparlantë të mëdhenj në tarracën e godinës, të cilët pritet të përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës për t’u bërë thirrje mbështetësve të Berishës.