Si është situata në PD pak orë para protestës?

Shqipëria

Si është situata në PD pak orë para protestës?

Më: 8 janar 2022 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha tha se 2 orë para protestës së thirrur nga ish-kreu i PD-së Sali Berisha, disa kryetarë degësh, disa deputetë dhe një pjesë e kryesisë ka mbërritur në ambientet e selisë blu.

Nga vëzhgimi në terren, fillimisht ka mbërritur kreu i PD-së Lulzim Basha në godinë, më pas sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe dy nënkryetarët, Enkelejd Alibeaj dhe Grida Duma.

Hoxha tregoi se gjithë oborri është mbushur me një numër të lartë të makinave të parkuara të zyrtarëve dhe punonjësve të PD-së. Diçka e tillë, siç sqaroi dhe gazetari nuk është praktikë e zakonshme e ditëve normale.

“Në gjithë pjesën e bulevardit përballë Partisë Demokratike, ka dhe aty masa të shtuara. Janë pothuajse të gjitha hyrjet anësore për të hyrë në oborrin e PD-së të bllokuara dhe është vetëm një portë kryesore nga ku mund të hyhet,” – sqaroi gazetari Hoxha.

Dy orë para orarit zyrtar të lajmëruar të protestës, në ambientet e selisë ka vetëm një numër të kufizuar të mbështetësve të Sali Berishës.

Nga rrugica ku ndodhet shtëpia e Berishës raportoi gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu e cila theksoi se situata ishte e qetë. Poshtë banesës së ish-kreut të PD-së ndodhej vetëm automjeti i tij dhe shoqëruesit.

Ndërkaq, gazetari i Euronews Albania raportoi masat e marra nga Policia e Shtetit për protestën.

“Të paktën nga informacionet do të jenë në terren rreth 1 mijë forca policore të cilat do të jenë në gatishmëri për çfarëdolloj situate që do të sjellë protesta,” – tha Maçi.

Sipas gazetarit do të ketë autobote uji, të cilat do të shërbejnë për të shpërndarë turmën në rast se situata do të agravojë. Ai shtoi gjithashtu se do të ketë agjentë civilë të cilët do të monitorojnë nga brenda turmës protestën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat