Një grup deputetësh të Partisë Demokratike anëtarë të Komisionit të Rithemelimit shkuan mbrëmjen e së shtunës në Komisariatin Nr 1 ku kërkuan lirimin e protestuesve të shoqëruar. Flamur Noka tha se demokratët nuk kanë bërë asnjë faj pasi kërkuan hapjen e dyerve të mbyllura në selinë e tyre duke mos i kursyer akuzat edhe për kryeministrin Rama.
Edhe në krahun tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike tha se policia ka shoqëruar padrejtësisht anëtarë të kësaj force.
Por në një reagim të saj Policia e Shtetit thotë se me keqardhje dëgjoi deklaratat Bardhit duke shtuar se në selinë e PD-së janë pyetur vetëm deputetët ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda saj janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Policia thotë se vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha veprimet e kundërligjshme gjatë protestës dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës.