Bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie e që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit po përballen me çmime tejet të larta për sigurimin e energjisë. Për muajin nëntor ky çmim arriti në 38.73 lekë/kwh, disa fish më i lartë se muajt e parë të vitit 2021.
Më konkretisht deri në muajin qershor çmimi i energjisë për këtë kategori arrinte mesatarisht në 10.5 lekë/kwh, çka do të thotë se në muajin nëntor ai ishte gati 4 herë më i lartë.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, tendenca në rritje e çmimeve ka nisur që prej muajit korrik, për të arritur rekordin në muajin nëntor të vitit që sapo lamë pas.
Kjo rritje vjen si pasojë e çmimit të lartë, me të cilin blihet energjia në tregun e parregulluar, duke qenë se është një prej elementëve përbërës të formulës me të cilën llogaritje çmimi i shitjes së energjisë elektrike të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.
Nga ky çmim preken bizneset e lidhur në tensionin 35 KV, që vijojnë të furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal.
Ndërkohë që, kjo situatë do të impaktonte edhe bizneset e lidhur në tensionin 20 KV, që prej 1 janarit 2022 do të duhej të dilnin në tregun e liberalizuar, shkruan scan.
Por, pikërisht për shkak të situatës me çmimet e larta, në ditët e fundit të muajit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi një shtyrje të këtij detyrimi edhe me 6 muaj, ndonëse procesi shtyhet prej vitesh.
Ndërkaq, për muajin dhjetor 2021 parashikohet një rënie e lehtë e këtij çmimi, duke qenë se energjia në tregun e parregulluar është blerë pak më lirë se muajt e mëparshëm.