Shtyhet gjyqi për Enkeleida Hoxhën

Shqipëria

Shtyhet gjyqi për Enkeleida Hoxhën

Më: 10 janar 2022 Në ora: 18:05
Enkeleida Hoxha

Seanca gjyqësore e ish-gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha është shtyrë sërish ditën e sotme dhe arsyeja ka qenë mungesa e prokurorit për probleme shëndetësore.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar 3.6 vite burg për gjyqtaren e Krujës Enkeleida Hoxha, e cila akuzohet se së bashku me grupin që vepronte nxirrte të dënuar nga burgu me raporte false.

Pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave SPAK e akuzoi Hoxhën për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Një ndër bashkëpunëtorët e Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku. Ky i fundit sipas SPAK bënte rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.

Pjesë e dosjes së SPAK është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuci, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar të dilnin pikërisht para gjyqtares Hoxha për gjykim.

Prokuroria e “gozhdoi” dosjen me një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale që implikojnë të hetuarit edhe pse vetë te akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat