Lulzim Basha dhe Sali Berisha pritet të thirren në Prokurori për protestën e 8 janarit. Një ditë para saj policia e shtetit ka pasur informacione për incidente nga persona të armatosur ndërkohë që pas akteve të dhunës, janë pyetur disa deputetë demokratë. Objekt verifikimi ka qenë grumbullimi i tyre brenda selisë, ndërkohë që hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu. Prokuroria ka kërkuar ekspertim edhe për pluhurin e bardhë të hedhur nga brenda godinës drejt protestuesve ndërsa po heton edhe për armëmbajtje pa leje.
Lulzim Basha dhe Sali Berisha pritet të thirren si dëshmitarë në Prokurori në lidhje me protestën e 8 janarit tek selia e PD.
Në një deklaratë për ngjarjen, Prokuroria thotë se po heton dhunën e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone, përdorimin i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhunën e ushtruar në drejtim të tyre si dhe mbajtjen e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve.
Policia ka referuar një material një ditë para protestës, ku thuhej se kishte informacion për persona të armatosur brenda selisë blu dhe për akte dhune nga të dy palët.
Policia kërkonte hetim nga prokuroria duke dorëzuar edhe disa fotografi të personave të dyshuar. Prokuroria ka regjistruar procedim penal mëngjesin e datës 8 janar disa orë para protestës, por pas incidenteve dhe ndërhyrjes së policisë, grupi hetimor me dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Eljo Mazreku dhe disa oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur në vendngjarje.
Ata kanë kërkuar të marrin në pyetje të gjithë personat brenda selisë së PD, ku kanë marrë deklarimet e disa deputetëve, përveç Lulzim Bashës dhe Grida Dumës.
Deputetët e pyetur kanë shpjeguar se kanë shkuar në seli pasi ishin njoftuar për një takim por më pas ka nisur protesta jashtë godinës.
Lulzim Basha mësohet se atë ditë ruhej nga katër gardistë të cilëve u është kërkuar një raport i detajuar për gjithçka ka ndodhur dhe planin që kishin për ruajtjen e kreut të PD. Ne pyetje pritet të merret edhe Sali Berisha dhe anëtarë të grupit të protestuesve.
Prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po verifikon personat që kanë hyrë e dalë nga PD, para dhe pas protestës, pasi ka dyshime se persona të armatosur kanë qenë prezent dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të policisë.
Në vendngjarje është gjetur një granatë që nuk është e policisë, ndërsa brenda PD, është evidentuar një skafandër, dhe shkopa. Hetuesit kanë kërkuar ekspertim për lëndën në formë pluhuri që është hedhur nga brenda PD, pasi me përjashtim të një kutie me spraj që po ekspertohet nuk është gjetur asnjë enë apo pajisje tjetër e që përdoret për substanca të tilla.
Në raportin e prokurorisë thuhet se brenda selisë së PD nuk ka asnjë të plagosur ndërkohë që të lënduarit janë të gjithë nga radhët e protestuesve jashtë godinës.
Për 34 personat e arrestuarit pas protestës prokuroria ka dorëzuar në gjykatë kërkesat për caktimin e masave të sigurisë ndërsa seancat pritet të mbahen ditën e martë. Veç shkatërrimit të pronës dhe prishjes së qetësisë, prokuroria tha se po heton edhe për armëmbajtje pa leje dhe shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.