Prej 16 ditësh vijojnë kërkimet pa ndërprerje nga ana e familjarëve për gjetjen e 49-vjeçarit Tofik Xhika i cili dyshohet se është mbytur në lumin Drin i Zi.
Këtë të Martë janë rikthyer në kërkime 1 njësi e polumbarëve të forcave speciale RENEA.
Polumbarët kanë kryer zhytje dhe kërkime nga mëngjesi i sotëm duke sfiduar edhe kushtet ekstreme të motit me erë të fortë e temperature shumë të ulta.
Ata janë zhytur në ujërat e lumit Drin i Zi në afërsi të fshatit Fushë Aliaj ku dhe dyshohet që Tofik Xhika është mbytur pasditen e 26 Dhjetorit të vitit të kaluar teksa kishte dalë për peshkim.
Deri tani kanë qenë dhjetëra banorë të fshatrave përgjatë bregut të lumit Drin i Zi të cilët kanë kërkuar çdo ditë pa ndërprerje të gjithë vijën lumore nga Fushë Aliaj e deri në Skavicë, me shpresën e gjetjes së një shenje të Xhikës.
Kërkimet e tyre në këmbë dhe me Dron kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërsa pas kthjellimit të ujërave të lumit është kërkuar sërish ndihma e polumbarëve.
Nuk dihet sesa do të vijojë operacioni i kërkimit nga ana e specialistëve të fushës në repartin RENEA, ndërsa familjarët shpresojnë që ankthi i tyre të përfundojë dhe të gjejnë Tofik Xhikën.