Forcat e Armatosura kanë hapur aplikimet për 400 vende të lira pranë FA, për Ushtarë dhe detarë aktivë janë hapur aplikime, për të cilat Ministria e Mbrojtjes shprehet se ka pasur një interes të lartë.
“Ti ke forcën për të nderuar kombin”, është motoja e Forcave të Armatosura, nismë për të cilën zëvendës ministrja e mbrojtjes Dallandyshe Bici u shpreh e kënaqur nga aplikimet e bëra deri tani në qytetin e Durrësit.
"Kjo fushatë ka filluar në qytetin e Elbasanit, duke vijuar në qytete të tjerë dhe do vijojë dhe në ditët e ardhshme. Jemi shumë të kënaqur me regjistrimet në qytetin e Durrësit. Deri tani kemi rreth 150 të rinj e të reja, që janë regjistruar. "
Të rinjtë apo të rejat e moshave nga 18 deri në 27 vjeç me arsim 9-vjeçar, të mesëm apo të lartë mund të konkurrojnë për rreth 400 vende të lira pranë FA.
Të gjithë kandidatët fitues do të përfitojnë një pagë mujore dinjitoze, përgatitje fizike dhe profesionale të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit sipas standardeve të NATO dhe një karrierë të sigurt.