Në Fier, në të parin takim pas protestës së 8 janarit Lulzim Basha u prit nga mbështetës edhe protestues. Për të shmangur çdo incident ndërhyri edhe policia. Para demokratëve Basha tha se me tubim para selisë Berisha e kaloi vijën e kuqe, ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të distancohen nga dhuna dhe e shkuara.
Këto pamje e pankarta janë tregues se Lulzim Basha nuk do ta ketë të lehtë bashkimin e demokratëve.
Të shtunën ai ishte në Fier ku zhvilloi të parin takim në bazë pas protestës së 8 janarit.
Por jo të gjithë demokratët e pritën mirë. Për të shmangur çdo incident të mundshëm policia ndërhyri për të mbajtur të ndarë mbështetësit e Bashës nga ata të liderit historik Berisha.
Madje raportohet se për tubimin e Bashës ishin thirrur dhe efektivë të Vlorës.
Në sallën e Teatrit “Bylis” ai zgjodhi të fliste mes demokratëve e jo në podium dhe protestën e 8 janarit e cilësoi ngjarje traumatike.
Basha: Më 8 janar në kundërshtim me thirrjet tona u kalua një vijë e kuqe që na ndan dhe që duhet të na ndajë një herë e përgjithmonë. Dhuna nuk është mjet i demokratëve. Me dhunë as nuk shantazhohen dhe as nuk detyrohen demokratët dhe as institucionet e demokratëve.
Sali Berishës nuk ja përmendi emrin dhe ju referua si paraardhësi. Por Basha nuk do të harronte të perifrazonte kryeministrin Rama teksa e akuzoi Berishën se shkelje të vijave të kuqe.
Basha: Demokratët na kanë dhënë shumë besim, askush prej nesh nuk ka të drejtën të abuzojë me këtë besim. Kjo ka qenë thirrja që i kam lëshuar për muaj me radhë dhe paraardhësit tim që t’i thërriste mendjes, që të vendoste para interesat e demokratëve.
Demokratëve iu bëri thirrje të lënë pas të shkuarën, të mos dorëzohen para atyre që i quajti dinozaur të tranzicionit.
Basha: Të hapim një faqe që duhet të ishte hapur dekada më parë, atë të pluralizmit të vërtetë. Shqipëria dhe politika e shqiptarëve nuk i takojnë më 3 dinozarëve të tranzicionit.
U ndal edhe te nisma e Vettingut në politikë duke theksuar se sa e rëndësishme është realizmi i saj për pastrimin e politikës nga balta, ku edhe Partia Demokratike ka pjesën e saj.
Basha: Dhe për këtë duhet të bëjmë sa më parë Vettingun e politikanëve. Secili prej brinjëve të trekëndëshit të Bermudës ka arsyet e veta se pse nuk e do Vettingun.
Lulzim Basha njoftoi nga Fieri se do të ndërmarrë një tur në gjithë Shqipërinë për të takuar demokratët e për të ringritur partinë që prej shtatorit ndodhet në një krizë të thellë.