Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ndodhet në ceremoninë e restaurimit të xhamisë Et’hem Beu në Tiranë bashkë me kryeministrin Edi Rama.
Rama tha se pas kësaj xhamie do të fillojë puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
“Së shpejti do të fillojë edhe puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Më pas do të punojmë për rilindjen e Beratit, Shkodrës”, tha Rama.
Kurse presidenti turk dha një lajm të mirë, duke siguruar se do të gjendet një zgjidhje për xhaminë e Namazgjasë deri në muajin e Ramazanit.
“Xhamia Et’hem Beu reflekton një bukuri në mes të Tiranës. Shpresoj që deri në muajin e Ramazanit ta kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së Namazgjasë. Do keni vepra të tilla që do vihen në shërbimin tuaj”, tha Erdogan.
I pritur nga dhjetëra qytetarë shqiptarë, mes tyre dhe besimtarë myslimanë që mbështesin presidentin turk, ky i fundit i ka falënderuar të gjithë për pritjen prej disa orësh.