Zgjedhjet në 6 bashki, KQZ rrëzon kërkesën e PD: Ja kur nis fushata

Shqipëria

Zgjedhjet në 6 bashki, KQZ rrëzon kërkesën e PD: Ja kur nis fushata

Më: 22 janar 2022 Në ora: 16:11
Ilirjan Celibashi

Partia Demokratike ka kërkuar më tepër kohë për bërjen e fushatës për zgjedhjet në 6 bashkitë e vendit, por një kërkesë e tillë është rrëzuar nga ana e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ ka vendosur datën 19 shkurt, duke rrëzuar kërkesën e PD-së që të ajo të nisë më 7 shkurt.

Përfaqësuesi i PD në KQZ Indrit Sefa ka kërkuar që fushata të nisë më herët duke propozuar datën 7 shkurt, por kërkesa e tij është rrëzuar nga Komisioni Rregullator, i cili ka miratuar propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

“Koha e lënë prej dy javësh, pra 13 duke konsideruar heshtjen zgjedhore, mendoj se është shumë e pakët për faktin e vetëm se ne kemi të gjithë mundësinë objektive për të realizuar një kohë më të gjatë të fushatës zgjedhore. Ne propozojmë datën 7 shkurt për të filluar fushatën. Një fushatë kaq e shkurtër zgjedhore s’do i vinte në ndihmë procesit. Data 7 shkurt do ishte më se e mjaftueshme për nisjen e fushatës zgjedhore dhe nuk shoh ndonjë pengesë në këtë pikë”, tha Indrit Sefa.

KQZ ndërkohë ka vendosur të njohë PD-në e përfaqësuar nga Lulzim Basha, duke mos njohur grupimin "Berisha".

Zgjedhjet do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ndonëse në shumicën e tyre, këto bashki ishin prej shumë kohësh, pa një kryetar të zgjedhur, presidenti Meta priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për të dekretuar votimet e reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat