Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka komentuar skandalin me aferën e incineratorëve ku në pranga ra ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka.
Në një intervistë për Ora Neës, ajo tha se ka qenë LSI e para që denoncoi këtë aferë, ndërsa shtoi se përveç Kokës, përfshinë dhe persona të tjerë, mes tyre deputetë, sekretar dhe kryetarë bashki.
Xhixho shprehet skeptike për Komisionet Hetimore duke thënë se nuk kanë prodhuar asnjë produkt.
Erisa Xhixho: LSI ka qenë e para që ka denoncuar aferën e iniciatorëve. Ne e kemi sjellë me fakte. Kemi vepruar. Kemi çuar në Prokurori në SPAK me një hetim të thelluar. Kjo aferë korruptive, përfshin shumë aktorë të qeverisjes, dhe përsa i përket Komisionit Hetimor në Parlament, mendoj se Komisionet Hetimore, nuk kanë prodhuar produkt. Jam pak mosbesuese ndaj tyre. Gjithsesi mbetet një zgjedhje e PD, në tagrin e saj ashtu e ka gjykuar. Ne kemi marrë një tjetër, mënyrë për ta denoncuar dhe për të vënë në lëvizje institucionet e drejtësisë.
Kemi kërkuar që SPAK të zbardh të vërtetën. Këtu nuk flitet për një interes të një force politike apo të një tjetër, por për interes publik, të miliona eurove që kanë shkaktuar shumë dëm shumë të madh financave publike. Ka persona të tjerë të përfshirë, ka kryetar bashkie, ka sekretar të përgjithshëm, deputetë që janë në parlament, që nga Alqi Bllako, kryetari i Bashkisë së Fierit apo persona të tjerë që janë të përfshirë direkt në këtë aferë.
Ajo thotë se SPAK duhet të zbardhë të vërtetën dhe të tregojë prefesionalizëm dhe paanshmëri në hetimet për aferën e incineratorëve.
Erisa Xhixho: Kjo është një sfidë shumë e madhe për SPAK, për të treguar prefesionalizëm dhe paanshmëri, për të fituar besimin e qytetarëve. Uroj që kjo dosje të jetë në nivelin e duhur të hetimit dhe për të çuar përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me fondet publike. Siguria juridiek është ajo që mungon sot në vendin tonë dhe kjo sjellë një zinxhirë të madh i një sërë problemesh në shoqëri.