Pak pasi Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike depozitoi një kallëzim penal ndaj Spartak Brahos për deklaratat e tij të forta se “do vritet një deputet”, ka reaguar ky i fundit.
I kontaktuar nga gazetari Enrik Braho i emisionit “Zona Zero” në Top News, Braho u përgjigj se ‘ky komision nuk mund të bëjë padi se nuk ka asnjë subjekt apo objekt konkret të prekur për këtë lloj akuze’.
“Nuk ekziston ligjërisht një subjekt i tillë. Për çfarë janë mërzitur ata? Që nuk u vra Alibeaj?! Nuk legjitimohet ky komision të bëjë padi, se nuk ka subjekt dhe objekt konkret të prekur për këtë lloj akuze. Shpifje?! Kush është prekur konkretisht nga shpifja? Muli?! Muli dhe bandat e Saliut duhet të përgjigjen penalisht për dhunë, për kërcënim, për shkatërrim. Unë paralajmërova vetëm të vërtetën që u shmang dhe u evitua. Për këtë janë mërzitur ata të “Komisionit të Rithemelimit”? Budallenj e injorantë nga ana ligjore,” ishte reagimi i plotë i Brahos për gazetarin e Zona Zero.
Padia nga Grupi i Rithemelimit
Spartak Braho një ditë para protestës së organizuar nga Berisha më 8 janar në selinë e PD, tha në emisionin "Zona Zero" të gazetarit Thimi Samarxhiu në Top News, se një deputet demokrat do të vritej.
Ish-deputeti socialist, Spartak Braho, ka përfunduar në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, pas deklaratës së tij të fortë.
Deputeti Flamur Noka depozitoi pranë Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion kërkesë-padinë për Brahon.
Braho akuzohet nga Komisioni i Rithemelimit për kryerjen e veprës penale të shpifjes.
Braho tha se protesta do të përfundonte me viktima, duke përmendur një deputet me inicialet E.A.
Deklarata bombë e Brahos në emisionin Zona Zero
Gjatë intervistës për në “Top News”, ish-deputeti socialist deklaroi se mund të ketë skenarë vrasje, që mund të përfshijnë edhe një deputet, ndërsa dha inicialet e deputetit që mund të jetë viktimë.
“Mos të keni iluzion se nuk do të ketë dhunë. Do të ketë nga këta që edhe nuk përmbahen, nga të dhënat që kam unë mund të ketë edh vrasje. Një personalitet deputet, me inicialet…, rrezikon të vritet nesër. Berisha nuk bën dot pa gjak. E.A, të ruhet, këtë këshilli i jap të ruhet nesër. Janë situata që dalin nga kontrolli që dalin nga jashtë një shenjë duhet e dalin jashtë, edhe ai nuk e ka problem se e thotë si me Azem Hajdarin që nuk e vrava unë, por Izet Haxhia”, tha ai.