Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka ironizuar nismat rajonale të Shqipërisë si dhe politikat e jashtme që ndjek qeveria.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj thotë se kryeministri Edi Rama është bërë kryediplomati i Shqipërisë, duke e zhvlerësuar kështu Ministrinë e Jashtme.
Sipas Gjekmarkajt, me nismën “Open Balkan”, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është bërë vëlla, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është bërë komshi.
Deputeti i PD-së, thotë se me këtë situatë jemi në kufi të atentatit të interesit kombëtar.
“Politika jonë e jashtme në fakt është e brendshme dhe ajo e brëndshmja nuk u bë kurrë e jashtme. Në gjuhën e saj të trashur si salep nga moskonsiderimi, ajo di vetëm të thotë ” Dobro jutro e buona sera , dobroveçe e kalimera, good mornig e akshamllar habituni ju o shqiptar”! Që kur u bë shteti ynë , i vogel, i gjymtuar nga coptimi , një kompleks provincial prej të cilit nuk ndahemi dot erdhi vetem duke u harlisur si kungulli në bahçe ! Ai i udheheqesve të saj shpesh , gjakatarë, dordolecë e matrahula ,për tu bërë kinse fanar ndriçues, magjepes aqsa i lënë pa frymë të huajt , me dije e sharm , me tollume e qillota , me citime e fjalë të kota.
Tepër të gjatë e madhoshë për t’u larë në prroskën e vogël me ujë të ndenjur , të atdheut ,lundrojnë në detet e diplomacisë botërore. Në pamundësi për t’i ndërruar imazhin një shteti të përzhitur nga historia, korrupsioni e banaliteti, vënë shtetin në dispozicion të imazhit personal për t’u kthyer në vatan të rruar e të qethur allafrënga me fotografi, gazeta e intervista që i madh e i vogel të mbajë frymën e të ndryshojë rrymën. Në vend që të bëjnë markë shalqinjtë e Torovicës, mollët e Dibrës e të Korçës, djathin e Gjirokastrës e domatet e Lushnjes, fiqtë e qeverisë duan të shndërrohen vetë në markë në brendy, në trendy, vasalë andej e bimbashë arrogantë këtej, gaztorë matanë e të murrëtyer në këtë anë.
Zero, Zero, Zero probleme me fqinjët u tha dikur me piskamë e zenit. Ja ku jemi te zerimi i problematikes me Greqinë. Kemi hequr dorë nga paketa e problemeve, nga trajtimi i tyre pasi ju tregoi i madhi, se si Athina fliste shqip e me pas Gjergj Dushmani kapedani e shpëtoi atë nga jatagani e gazepi i flakve. Më pas gjithçka u zgjidh në mënyrë të njëaneshme, çdo gjë siç e duan ata. Çështja e detit u stis e u bitis që në të dukeshim interesant në konfliktin Turko -Grek kur në fakt u gjendëm mes dy kuajve që ndeshen në lëmë e morëm shkelma pa fund. Presim mëshiren e Dendiasit apo Micotaqit për të marrë vesh ndonjë lajm apo vazhdimin e çështjes se këtu është mbajtë sekret gjithë ai ibret.Kot shkuan edhe bisedat pleqerishte të Ditmirit me Kociasin e buzeqeshur e babaxhan ndane zjarrit si jaranë. Ulja në dukje e retorikës midis dy vendeve është shoqëruar me tërheqje , me lëshime ndaj dramës çame dhe me braktisje ndaj halleve e kërkesave të emigrantëve.
Harresa ndaj ligjit të luftës u pa si e vetmja rrugëdalje nga premtimet e shumta për heqjen e tij, por ai rri ende i shkruar si monument turpi e kërcënim i së shkuarës. Një fenomen po spikat prej disa vitesh, po rritet si shtogu në plehun e mediokritetit dhe vetëmburrjes. Personalizimi i marrëdhenieve dy palëshe me shtetet, shoqëruar me mungesën e memorizimit dhe informacionit zyrtar nga institucionet përkatëse. Një rendje, një turravrap për të hequr dore nga angazhimi shumëpalësh në rajon nëpërmjet nismave rajonale, si CEFTA, etj, duke u zëvendësuar me “Open Balkan”, objekt konflikti me Kosovën dhe vendet e tjera fqinje ka marrë trajtë të plotë. Druzhe Vuçiçi është bë vlla e Albin Kurti komshi. Një mungesë transparencë se si bëhet politika e jashtme na shfaqet në çdo kërkim. Pa një konsultë paraprake hartohen dhe firmosën marrëveshje mes shtetesh pa marrje mendimi të institucioneve.
Për me tepër opozita e opinioni publik anashkalohen, a thua se janë tendera rrugësh apo tendera sekret ilaçesh! Diplomacia merret me kurimin e brendy-t , imazhit të kryeministrit dhe aspak me zbatimin e një politike të jashtme aktive! Prej vitesh shumicës së ambasadorëve u ka kaluar mandati në detyrë dhe askush nuk kujtohet per t’i ndërruar. Vlersimi që ka pushteti për to është si për nje tufë azilantësh diplomatik, për të cilët ne paguajmë taksa dhe qeveria i përdor si mazhordom lepe -peqe, në udhëtimet e saj enigmatike, ekzotike dhe aspak ekonomike.
Jemi në kufi të atentatit të identitetit kombëtar. Aksi i marrëdhënieve me fqinjët të lëkundet. Kryeministri ynë duke e lënë mëanjë Ministrinë e jashtme, ka vendosur marrëdhënie të dyanshme me Serbinë. Kryeministri u bë kryediplomat, pasi ligji ndryshoi për t’I dhënë kompetencën atij për të bërë politikën e jashtme. Politika e jashtme e Shqipërisë ka nevojë të kthehet në shinat institucionale. Me këtë rast, duke I falenderuar diplomatët tanë që nuk u bënë pengesë për bazën e Kuçovës, do kërkoja më shumë përkushtim ndaj Kosovës. Ju përshëndes të gjithëve” – tha Gjekmarkaj.