Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për rolin e ri të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si bashkëhartuese me SHBA-të në qëndrimin për çështjen e Ukrainës.
“SHBA vlerëson lidershipin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për çështjen e Ukrainës.
Agresioni i Rusisë jo vetëm që kërcënon Ukrainën dhe Evropën, por edhe rendin ndërkombëtar për të cilin OKB-ja është ngarkuar të ruajë”, shkruan ambasadorja në reagimin në Twitter.
Kryeministri Edi Rama tha sot se përgjedhja e Shqipërisë është një përgjegjësi e re dhe shumë e madhe, por dhe konfirmim i një pozite tjetër të vendit në arenën ndërkombëtare
“Kemi marrë konfirmimin përfundimtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit se SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse, ky është termi, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve e Bashkuara lidhur me çështjen e Ukrainës”, u shpreh kryeministri.
“Krijimi i këtij çifti SHBA dhe Shqipëri në Këshillin e Sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dyja vendet tanimë partnerë të ngushtë në këtë proces do të ndërmarrin”, theksoi me tej Rama.
Rama pas 10 ditësh pritet të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken në Uashington per te diskutuar me tej edhe per kete ceshtje.