Presidenti Ilir Meta ka firmosur kallëzimin penal kundër Kuvendit këtë të mërkurë, për falsifikim provash në Gjykatën Kushtetuese për seancën e shkarkimit të tij.
“Kam firmosur sot kallëzimin penal kundër strukturave dhe funksionarëve përgjegjës të Kuvendit me akuzën e “Falsifikimit të dokumentee”. Kallëzimi penal do depozitohet në Prokurori dhe ne SPAK”, tha Meta.
“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Kjo ndodh në një seancë publike të gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër kreut të shtetit dhe ky krim falsifikim tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi një partiak deri para 25 prillit, por një dramë që se si po funksionon ky kuvend me opozitë, prandaj kemi të bëjmë me themele të republikës që janë tronditur rëndë. Edhe ndërtimi i institucionit të drejtësisë është i qartë. Jo vetëm falsifikuan letrat, por edhe për të shkarkuar presidentin falsifikojnë në Gjykatë Kushtetuese, çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes në interes të grupeve të caktuara?”, tha Meta.
Në lidhje me pyetjen nëse ai do ta lirojë zyrën nëse vendimi i Kushtetuese është pro shkarkimit të tij, Meta nënkuptoi që jo, duke thënë se nuk është data 24 korrik, dita kur presidentit i mbaron mandati.
“Ju thoni nëse 24 korriku është sot do doja që të ishte që dje, nuk do të ketë asnjë bravë shtesë nuk do blindohet gjë. Në 24 korrik do të bëjmë një festë, aty është populli i 2 marsit, është shumë i irrituar pas këtyre falsifikimeve. Unë jam Ilir Meta u super budallenj, ju jeni yje”, tha Meta.