Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka filluar zyrtarisht punën pas hyrjes në fuqi të ligjit që parashikon shkrirjen e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Struktura e re do të ketë më shumë kompetenca dhe do të verifikojë zyrtarët e lartë të policisë në kuadër të vettingut por edhe të dhënies së certifikatave të sigurisë.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është shkrirë zyrtarisht pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri që u miratua me 76 vota pro për krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Sipas ligjit, i gjithë personeli i Agjencisë tashmë ‘zhvishet’ nga gradat, duke e bërë strukturën më të pranueshme në funksionin e mbikëqyrjes së paanshme.
Kalimi i personelit në strukturë civile shmang konfliktin e interesit me subjektet policore që mbikqyr dhe përmirëson procesin e rekrutimit dhe motivimit të punonjësve të rinj.
Kjo strukturë do të këtë në përbërjen e saj më shumë kompetenca sesa Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat.
Detyrat e reja të Agjencisë janë vettingu ndaj zyrtarëve të policisë dhe verifikimi i pastërtisë së figurës për personat që marrin certifikatat e sigurisë.
Këto detyra, Agjencia do t’i kryejë përmes përdorimin të testit të së vërtetës hetimeve penale dhe inspektimeve.
Tashmë pritet propozimi i emrit të kryetarit të kësaj Agjencie nga Ministri i Brendshëm, i cili pritet të dërgojë emrin tek Kryeministri.
Struktura e re do të përbëhet nga stafi i SHÇBA-së por me kompetenca të shtuara ndërkohë që në trupën e saj do të jenë pjesë vetëm ata që e kanë kaluar më sukses procesin e vettingut.