Autori i dyshuar Roxhers Demirazi kishte mundur të largohej nga Greqia pas ngjarjes së rëndë, duke shmangur në këtë mënyrë dhe arrestimin e tij.
Sipas Gr Times, duke cituar avokatin e të pandehurit, dorëzimi i 20-vjeçarit në polici u bë me qëllimin që të përballej me drejtësinë dhe të jepte versionin e tij në lidhje me akuzat.
“Më vjen keq që u largova. Dua të kthehem dhe të gjykohem, të them të gjithë të vërtetën për atë që ndodhi në të vërtetë atë natë. “Më vjen shumë keq për fëmijën”, ka thënë 20-vjeçari i arrestuar, ndërsa fjalët e tij janë riprodhuar përmes avokatit.
Kujtojmë se i pandehuri 20-vjeçar është dorëzuar pasditen e kësaj të enjteje në Komisariatin e Korçës.
Pas vrasjes së 19-vjeçarit Alkis Kampanos në Selanik, Demirazi u arratis në Shqipëri.
Ndërkohë, avokatët grekë kanë thënë në median greke se pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest është e pamundur që i riu të kthehet vetë në Greqi, të kalojë kufirin si çdo qytetar. Ndaj, edhe autoritetet greke i kanë sugjeruar të dorëzohet në autoritetet shqiptare, për të kryer procedurën në prokurorinë e zonës e në vijim të kryhet dhe ekstradimi në Greqi.