Presidenti Ilir Meta ka uruar për rizgjedhjen në krye të shtetit gjerman, Frank-Walter Steinmeierin. Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Meta shkruan se ky është një lajm i mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa vuri në dukje rolin thelbësor të Gjermanisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Kohët sfiduese si këto që po kalojmë kanë nevojë për udhëheqës të urtë dhe me peshë si Presidenti Steinmeier, të cilit i jemi mirënjohës për mbështetjen sinqertë dhe të drejtpërdrejtë për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për kontributin thelbësor të dhënë ndër vite për të hapur sa më parë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë”, shkruan Presidenti Meta.
Postimi i plotë:
Urime të përzemërta Presidentit Frank-Walter Steinmeier për rizgjedhjen në detyrën e Kreut të Shtetit të Republikës Federale të Gjermanisë!
Një lajm shumë i mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të shkëlqyera dypalëshe dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë!
Kohët sfiduese si këto që po kalojmë kanë nevojë për udhëheqës të urtë dhe me peshë si Presidenti Steinmeier, të cilit i jemi mirënjohës për mbështetjen sinqertë dhe të drejtpërdrejtë për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për kontributin thelbësor të dhënë ndër vite për të hapur sa më parë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.