Top Channel ishte e vetmja media që arriti të shkonte në Ukranë për të përcjellë për gjashtë ditë se çfarë ndodhte nga afër në frontin e një lufte që pritet të nisë nga momenti në moment.
Gazetari i Top Channel që ishte në Ukrainë dhe pati mundësinë të prekte nga afër gjithë gjendjen e vështirë në të cilën ishte Ukraina, i ftuart në Open tha se në lindje të Ukrainës kishte luftë prej 8 vitesh dhe se qytetarët zgjoheshin çdo mëngjes nga breshëritë e armëve.
“Ka një kontrast të madh me atë që ndodh në Kiev dhe në lindje të Ukrainës. Në Kiev është një jetë normale, njerëzit ishin me radhë të gjata për të parë operën Romeo dhe Zhulieta, kurse në lindje ndjehet lufta, atje shikon ushtarë në rrugë. Atje ka prezencë ushtrie pasi Rusia pushtoi Krimenë. Ka shtëpi të boshatisura, pallat me 30- 40 apartamente dhe mund të shikoje vetëm dy drita ndezur.
Ne ishim në një fshat shumë afër me vijën e luftës, me 300 familje, por tashmë kishte vetëm 10. Atje nuk shikoje këmbë njeriu dhe e vetmja shenjë jete ishte një qen që lehte herë pas here. Në veri të Doneskut në njërën anë ishin forca të ushtrisë ukrainase që stërviteshin dhe në anën tjetër 200 metra më larg ishin rusët. Gjuhej herë pas herë sidomos natën. Në lindje të Ukrainës ka 8 vite që ka luftë, ka përditë, njerëzit zgjohen çdo mëngjes nga breshëritë e armëve, kurse në Kiev tensioni sa vjen edhe shtohet. Zelensky është munduar t’i qetësojë qytetarët, që ekonomia të mos ndikohet, por ka filluar të ndjehet aroma e luftës. ka një gurp i quajtur Forca Territoriale Mbrojtëse e Ukrainës së cilës u janë bashkuar mijëra qytetarë dhe stërviten si të hedhin granata, të japin ndihmën e parë. Ata kanë filluar të blejnë radio, sepse sipas infomacioneve sulmit ushtarak do t’i paraprijë një sulm i gjerë kibernetik”, tha Veliu.