Teksa na ndajnë dhe dy ditë nga njoftimi që banorët e lagjes "5 Maji" duhet të lirojnë shtëpitë për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit ata kanë dalë përsëri në protestë. Kërkojnë që bashkia ta ndalë këtë aksion pa u dhënë më parë një zgjidhje ndërsa paralajmëruan rezistencë.
Banorët e "5 Majit" u mblodhën edhe këtë të dielë në protestë, ku kërkuan mbështetjen e sa më shumë qytetarëve që të bashkohen me ta më 22 shkurt, ditë e cila është afati i fundit kur duhet të lirojnë shtëpitë.
“Kërkoj që më datë 22 secili të vije dhe të na ndihmojë që të rrimë përballë atij pushteti kriminal.”
Protesta u zhvillua para rrënojave të shtëpisë së nënë Lizës si një mesazh për të gjithë që të dalin në protestë që shtëpitë e tyre të mos përfundojnë njësoj.
“Nesër e keni radhën ju, ose sot ose kurrë.”
Ata paralajmëruan se do të bëjnë rezistencë dhe nuk do të lejojnë shembjen pa nënshkruar kontrata të ligjshme me bashkinë e Tiranës, si dhe përcaktimin e një vendi ku dhe kur do ta përfitojnë banesën e re.
“Datë 22 do të bëjmë protestë të gjithë banorët, sepse këtu vijnë vetëm me polici dhe luftë.”
Në protestë për të dëgjuar problematikën e tyre ishin edhe përfaqësues të Këshillit Evropian, shoqëria civile dhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit.