Dëbora izolon zonat malore/ Bllokohet rruga e Arbrit

Shqipëria

Dëbora izolon zonat malore/ Bllokohet rruga e Arbrit

Më: 1 mars 2022 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Reshjet e borës që kanë përfshirë juglindjen e vendit kanë shkaktuar probleme të shumta në zonat malore.

Për shkak se trashësia ka arritur deri në 50 centimetra, shumë fshatra të njësive administrative Dardhas, Trebinjë, Proptisht e Velçan në bashkinë e Pogradecit janë të izoluar.

E njëjta situatë raportohet edhe në zonat malore të bashkisë, Korçë, Maliq, Devoll e Kolonjë.

Ndërkohë të gjitha akset kombëtare janë të hapura dhe të qarkullueshme normalisht për mjetet. Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin goma dimërore.

Probleme të shumta nga bora ka pasur dhe në Qarkun Dibër. Reshjet, të cilat nisën orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve.

Segmenti i rrugës së Arbrit, Bypass-Qafë Murrizë është i pakalueshëm, ndërsa autoritetet po punojnë për hapjen e tij. Të gjithë drejtuesit rekomandohet të ndjekin rrugën e vjetër Peshkopi–Tiranë, e cila është e hapur.

Ndërkohë, zonat e thella janë të izoluara, si dhe kanë mungesë të energjisë elektrike.

Reshje bore ka pasur edhe në Elbasan, por nuk janë raportuar probleme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat