Kryqi i Kuq Shqiptar po mbledh ndihma per Ukrainën, e cila po përballet me agresionin ushtarak rus. Të pozicionuar në qytete të ndryshme të vendit, vullnetarët e kësaj organizate ftojnë qytetarët që të solidarizohen.
Kryqi i Kuq Shqiptar ka nisur fushatën humanitare për qytetarët e Ukrainës pas sulmeve nga Rusia.
Vullnetarët e kësaj organizate po mbledhin fonde për ti ardhur në ndihme popullsisë civile të prekur nga konflikti.
Andi Mujollari, koordinator i Kryqit të Kuq Shqiptar, tregon se janë mobilizuar të gjitha kapacitetet për të sensibilizuar komunitetin.
"Çdo degë e Kryqit të Kuq po i përgjigjet thirrjes. Njerëzit dhe bizneset mund të dhurojnë për civilët. Fushata do vazhdojë gjithë javën, po mendohet dhe një fazë e dytë."
Shumat e mbledhura nga kjo fushatë do t’i dërgohen Kryqit të Kuq të Ukrainës për t’i përdorur në përmbushjen e operacionit humanitar.
Qytetarët që duan të jenë pjesë e kësaj ndihme mund të depozitojnë të holla përmes numrave të llogarisë që janë në dispozicion në faqen zyrtare të Kryqit të Kuq Shqiptar.