Kryetari i PD-së Lulzim Basha duket i vendosur të qëndrojë në krye të kësaj partie. Në një mbledhje që ka zhvilluar pasditen e së dielës në selinë me blu me kryetarët e degëve të kësaj partie, mësohet se Basha është shprehur se “është i gatshëm për çdo zgjidhje”.
Megjithatë kreu i PD-së thotë se “nuk janë bërë gabime” dhe se “PD nuk ka shans me një “non grata” duke theksuar se “vendimi i 9 shtatorit (për përjashtimin e Berishës) nuk mund të zhbëhet” .
“Të ndërtojmë një proces drejt zgjidhjes. Sfida është të bëjmë bashkë këto 3 pjesë. Kam përsëritur para deputetëve atë që u kam thënë juve në takimin e fundit: “Jam në dispozicion të zgjidhjes”. Zgjidhja është një proces.
Këtu nuk ndodhemi prej gabimeve, por për shkak të vendimit të 9 shtatorit. Grupi i qëndroi vendimit të 9 shtatorit. E kuptojmë se nuk kemi shans me një “non grata”. Ajo që na vlen sot është një diskutim me përgjegjësi i kolegjit të kryetarëve pasi ky kolegj mban peshën më të madhe.
Sfida është si ti bëjmë bashkë këto 3 pjesë. 9 shtatorin nuk e zhbëjnë dot nëse nuk duam të zhbëjnë PD. Duhet të tregojmë mençuri të bashkojmë PD, që të arrijmë sukses elektoral. Situata është eksplozive dhe detyra jonë është të jemi 1 orë e më parë në shërbim të njerëzve. Unë në shërbim të zgjidhjes, kam vënë në dispozicion gjithçka,” – ka thënë Basha.