Pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë dhe uljes në 217 lekë të litrit të naftës, shoferët në Vlorë janë përsëri të pakënaqur me çmimin.
Ata shprehen se janë në prag falimentimi.
"Nuk ka rritje çmimi por po falimentojmë. Unë kam sjellë nga Saranda dy vetë ndërkohë që më duhen 9 mijë lekë naftë. Më thuaj çfarë do të çoj në shtëpi?” thotë një shofer.
Në këto kushte vetë drejtuesit e mjeteve thonë se do të rrisin të gjitha çmimet ndërqytetase.
"Ose do mbyllim makinat ose do rrisim biletat" thotë një shofer.
Edhe kompanitë e transportit urban në Vlorë mësohet se kanë depozituar një kërkesë në bashki për rritjen e biletës nga 30 në 60 lekë, ndërsa ajo pritet të shqyrtohet në këshill.
Ndërkohë në Berat është rritur tanimë çmimi i biletës urbane me 10 lekë.
Edhe çmimet e biletave nga Berati në drejtim të qyteteve të tjera janë rritur me 100 lekë, ndërsa për qytetarët kjo është një situatë e vështirë.