Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, flet në një intervistë për Deutsche Welle për vizitën e tij në Berlin, zgjerimin, Serbinë, Ballkanin e hapur dhe udhëtime në kohë krize energjetike.
Në një vizitë treditore në Berlin, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me dy kolegë të tij, Etilda Gjonaj dhe Toni Gogu nga PS, u takuan me një sërë perfaqësuesish të politikës gjermane përgjegjës për politikat e jashtme dhe të zgjerimit.
Në intervistë me Deutsche Welle, Balla tha se ka ardhur koha që t’i jepet një përshpejtim procesit të zgjerimit dhe kërkoi ndihmën e Gjermanisë.
"Unë besoj që është momenti i duhur për të menduar një përshpejtim real të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kriza në Ukrainë duhet të na bëjë të gjithëve këtu në Evropë të mendojmë për një bashkim më të madh të Evropës, duke përfshirë brenda saj sa më shpejt edhe vendet e Ballkanit Perëndimor", tha Balla.