Qeveria greke duket se ka hapur thesin për emigrantët nga Shqipëria dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.
Të gjithë shqiptarët që kanë të paktën 30 vjet në shtetin helen do të përfitojnë pension të plotë kombëtar.
Në parlamentin helen po diskutohet projektligji për uljen e pragut të pensioneve për emigrantët shqiptarë dhe ata nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Me dispozitën e re, të gjithë shqiptarët që kanë të paktën 30 vjet në Greqi do të mund të përfitojnë pension të plotë kombëtar.
Pragu më herët ka qenë 40 vjet.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë vitit të kaluar u zotua se do të shqyrtonte problematikën disa vjeçare për emigrantët shqiptarë, të cilët nuk mund të përfitonin pension të plotë kombëtar të paktën deri në vitin 2030.
Kujtojmë që vala e emigrantëve shqiptarë drejt shtetit tonë fqinj u bë pas rrëzimit të regjimit komunist dhe hapjes së kufijve në vitin 1990.
Sipas projektligji, të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë atje që prej vitit ’90, ’91 apo ’92 do të përfitojnë pension kombëtar 100% si shtetasit grekë.
Për kreun e opozitës dhe ish-kryeministrin Alexis Tsipras pragu për përfitimin e pensionit të plotë për shqiptarët dhe ish-sovjetikët duhet të jetë 15 vjet, pra sa gjysma e projektligjit aktual.
Ndërsa shoqatat e përfaqësuesve të emigrantëve në Greqi, kërkuan që pensioni i plotë për ta të jepet edhe nëse kanë 20 vjet që jetojnë në shtetin helen, në vend të 30 viteve siç ka propozuar qeveria e Mitsotakis-it.